Policia e Kosovës me masa të sigurisë gjatë procesit zgjedhor në veri

Policia e Kosovës tha se në përputhje me urdhërin operativ ndërmerr masa të nevojshme të sigurisë në prag të zgjedhjeve si dhe gjatë mbajtjes së tyre por edhe me përfundimin e procesit. Në një përgjigje me shkrim për RTV21 Policia e Kosovës, megjithëse nuk specifikoi se cilat janë masat dhe numri i policëve të angazhuar në periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës tha se në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente me kohë planifikon dhe ndërmerr masat e nevojshme policore.
“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, si dhe konform planifikimeve operacionale policore. Po ashtu edhe në rastet kur organizohen zgjedhje qendrore apo lokale, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente me kohë planifikon dhe ndërmerr masat e nevojshme policore konform urdhrit operativ, i cili parasheh të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për RTV21.
Dy misionet ndërkombëtare për sundimin e ligjit dhe sigurinë, EULEX dhe KFOR, thanë se janë të gatshme për periduhën e mbajtjes së zgjedhjeve dhe se po e vëzhgojnë nga afër gjithë situatën në pjesën veriore të Kosovës. Një numër incidentesh i kanë paraprirë mbajtjes së zgjedhjeve, me djegien e makinave të riregjistruara me RKS të pronarëve serbë..
Zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës janë rishpallur nga Presidentja e Kosovës dhe mbahen më 23 Prill. Aktualisht partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe dhe partitë e tjera serbe kanë refuzuar që të regjistrohen për të marr pjesë në to.
Komisionii Qendror i Zgjedhjeve tha se të dielën do të hap 19 qendra votimi, nga të cilat 13 në ambiente alternative dhe kontejnerë./21Media