Policia heton rrëmbimin e një vajze të mitur në Fushë Kosovë

Një rast i rëndë i dyshuar për rrëmbim është raportuar gjatë orëve të natës në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci për rtv21.tv ka bërë të ditur se sipas informatave të para një vajzë e mitur është futur me forcë në një veturë nga persona të panjohur dhe është liruar pas rreth një ore. Në përpjekje për ta ndalur incidentin, është lënduar lehtë edhe nëna e vajzës.
Rasti është iniciuar si “Rrëmbim” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me intensitet.
”Rreth orës 00:45, policia ka pranuar informatën për një rast të dyshuar rrëmbimi, të ndodhur në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë. Sipas informatave fillestare, një vajzë e mitur është futur me forcë në një veturë nga persona të dyshuar dhe pas rreth një ore është liruar. Përgjatë incidentit në tentativë për të parandaluar rastin është lënduar lehtë edhe nëna e viktimës. Të dyja kanë pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor në QKUK. Hetuesit policor kanë identifikuar së paku një veturë që është shfrytëzuar nga të dyshuarit, ndërsa me rekomandimin e prokurorit të shtetit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Rrëmbimi” si dhe “Lëndim i lehtë trupor” Policia po vazhdon intensivisht punën për ndriçimin e plotë të ngjarjes dhe inkurajon qytetarët që kanë informacione që posedojnë ndonjë informacion të dobishëm të kontaktojnë policinë përmes numrit falas 192 ose përmes aplikacionit Lajmëro Policinë”, tha Borovci./21Media