Policia jep detaje për vdekjen e dyshimtë në Dragash

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se lidhur me rastin e 67-vjeçares e cila ka vdekur një ditë më parë në Dragash, ka pasur një rast të raportuar për dhunë ndaj saj.
Në njoftimin e Policisë të martën thuhet se rasti ishte hapur më 8 nëntor të këtij viti, në formë të dhunës psikike, apo moskujdesi të duhur ndaj një personi me nevoja të veçanta.
Policia po ashtu ka bërë të ditur se për këtë rast nuk ka pasur urdhër mbrojtës dhe se sipas familjarëve, viktima ka pasur probleme të shumta shëndetësore.
“Ne ora 12:30, mjeku kujdestar i QMF Brodosan, pas kontrollit dhe ekzamenit fillestar në vendin e ngjarjes ka vërejtur se në trupin e së ndjerës ka dyshime se ka shenja të dhunës. Me qëllim që të sqarimit të shkaktarit të vdekjes nga policia është hap rast ‘Vdekje e dyshimtë’. Bazuar në të dhënat e Policisë për këtë viktimë ka qenë i hapur vetëm 1(një) rast i: Dhunës në familje” me date 08.11.2022 dhe ky rast është proceduar në prokurori, raste tjera nuk ka pasur. Ashtu siç pohohet në kallëzimin penal të këtij rasti, dhuna e shkaktuar ndaj viktimës në atë kohe ka qene në forme të dhunës psikike apo moskujdesit të duhur ndaj personit me nevoja te veçanta. Për këtë rast nuk ka pasur urdhër mbrojtës , sipas familjareve viktima ka pasur problem te shumta shëndetësore (nuk ka qenë në gjendje të kujdeset për vete, nuk ka mundur të lëvizë as për nevoja bazike dhe fiziologjike)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se e ndjera jetonte me gruan e vëllait dhe nipin.
“E ndjera nuk ka pasur familje të ngushte, nuk ka pasur fëmijë, ka qenë e martuar për 15 vite por pas vdekjes se bashkëshortit është kthyer në familjen e vëllait për të jetuar. Pas vdekjes se vëllait për të janë kujdesuar kunata (gruaja e vëllait) dhe nipi”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Back to top button