Policia jep detaje rreth arrestimit të dy zyrtarëve
Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka realizuar dy operacione, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar dhe konfiskimin e rreth 17 kg substancë narkotike e llojit marihuanë.
Operacioni i realizuar në rajonin e Prishtinës, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar, dy prej tyre punonjës në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndërsa, operacioni tjetër është realizuar në rajonin e Prishtinës dhe Prizrenit, i cili pas hetimeve intensive ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar si dhe konfiskimin e rreth 17 kg substancë narkotike e llojit marihuanë.
“Fillimisht zyrtarët policorë në magjistralen Prishtinë-Pejë kanë ndaluar automjetin e të dyshuarve, ku gjatë kontrollit kishin gjetur një sasi prej rreth (12) kg, substancë narkotike dhe pastaj gjatë kontrollit dhe bastisjes në lokacionet e banimit të personave të dyshuar, në njërën prej tyre janë gjetur dhe sekuestruar edhe (5.746.3) kg, substancë narkotike. Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar substanca narkotike në total prej mbi (17) kg, një (1) veturë, dy (2) peshore, tre (3) telefona dhe para të gatshme në vlerë prej 470 euro”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës./21Media

