Policia Kufitare e Kosovës e vetme në luftimin e kontrabandimit në veri

Mosdefinimi i vijës kufitare me Republikën e Serbisë dhe mosrespektimi i Marrëveshjes ndërkufitare për menaxhim të integruar të kufirit të vitit 2012-të dhe protokollit teknik të saj nga pala serbe mbeten sfidë për Policinë Kufitare të Kosovës. Ndërsa policët në veri detyrohet të blejnë numra të Serbisë në mënyrë që të mund të kontaktojnë me familjet dhe kolegët e tyre në qendër.
Kështu u tha në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku raportoi u.d të drejtorit të Departamentit për Kufi, Ragip Bunjaku.
Bunjaku me këtë rast tha se këtë vit është rritur numri i zbulimit të rasteve që lidhen me kontrabandim, ku vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti theksoi se janë zbuluar 72 raste të kontrabandimit me mallra.
”Moszbatimi i marrëveshjes po na shkakton vështirësi, janë ndërprerë të gjitha takimet në nivel lokal dhe në nivel qendror. Nuk kemi komunikim të drejtëpërdrejt, pas marrëveshjes ndërkufitare kemi pasur komunikim të drejtpërdrejt. Pala serbe nuk po shpreh asnjë vullnet me parandalu as kalimin ilegal, as kontrabandën”, u shpreh ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli pyeti për rastin në veri, ku ishin arrestuar 22 persona për korrupsion dhe kontrabandë.
”Se ku është momentalisht procesi, me sa kam njohuri është në gjykatë, nuk kam njohuri më tutje. Këta zyrtarë me vendime të komisionit të brendshëm disiplinor dhe komisionit disiplinor të Policisë së Kosovës janë përjashtuar nga Policia e Kosovës, jo vetëm këta 22 të arrestuar, por edhe 2 që kanë ikur nga Kosova. Momentalisht janë duke u mbuluar me transfere të përkohshme nga pikat tjera kufitare dhe stacionet tjera policore, do të thotë nuk kemi numër të zvogëluar”, tha ai.
Një numër pyetjesh për policinë kufitare pati deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ku ndër tjerash e pyeti Bunjakun nëse është ende nën hetime.
Bujaku deklaroi se nuk është nën hetime, teksa sqaroi se procesi ka përfunduar në tërësi dhe se është plotësisht i pastërt.
Kurse deputeti, Arbër Rexhaj pyeti për arsyet e mosrekrutimit të stafit në një periudhë 15-vjeçare, pasi siç tha ai, është një shumë gjatë kohore për të mos pasur staf të ri.
U.d. së drejtorit të Policisë Kufitare, Ragip Bunjaku tha se nuk është në dijeni për arsyen e mosrekrutimit të stafit të policisë kufitare, teksa shtoi se një gjë të tillë do ta bëjnë në shtator.
”Ne kemi pasur disa konkurse, kur është paraqitur nevoja, por kryesisht kanë apliku policët të gjeneratave më të vjetra. Kurse pse nuk ka pasur rekrutim nuk mund të jap përgjigje, nuk di definitivisht, nuk di a ka pasur kërkesë nga ish-drejtori i Policisë Kufitare për rifreskim të stafit apo jo… Besoj që nga shtatori do të fillojmë me rifreskimin e stafit të Policisë kufitare, se 50 vjet mosha mesatare është mjaftë e vjetër”, u përgjigj ai.
Sipas u.d. të Drejtorit të Policisë Kufitare, Ragip Bunjaku, 6-mujorin e parë të këtij viti janë 72 raste të zbuluara të kontrabandimit me mallra, 20 të arrestuar në lidhje me kontrabandimin me migrantë, kurse 28 viktima të kontrabanduara. Ai po ashtu tha se këtë vit kanë zbuluar edhe raste të kontrabandimit të kërpudhave, e që sipas tij është e rrezikshme që të hyjnë në treg pa iu nënshtruar kontrollimit të cilësisë./Kp

Back to top button