Policia me masa për vizitën e Blinken në Tiranë

Policia e Shtetit në Shqipëri ka publikuar planin e masave të marra për garantimin e sigurisë gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë, e cila parashikohet të realizohet gjatë ditës së enjte, 15 shkurt.

Sipas njoftimit të Policisë, nuk do të lejohet parkimi në disa akse rrugore.

“Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim”, bën të ditur Policia.

Po ashtu do ketë ndalim qarkullimi në disa akse të tjera. “Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë: Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas; Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas; Interurbane kryesore Qafë Kashar – ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas; Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas; Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Faik Konica”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Ukraina e Lirë”, rruga “Gjergj Filipi”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri””, bëhet me dije në njoftim.

Policia sqaron se gjatë kësaj kohe do përdoren rrugë alternative.

“Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njëjtin itenerar”, njofton Policia, shkruan ATSh.

“Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimit, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve përkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve për masat e sigurisë dhe apelon për të shmangur qarkullimin me mjete rrugore në oraret dhe rrugët ku parashikohen kufizimet e lëvizjes, për qëllime sigurie”, përfundon njoftimi.

Back to top button