​Policia meriton trajtim të dinjitetshëm, flasin deputetë dhe qytetarë

Protestën e djeshme të njësive elite policore për pa kënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e konsideron si pamje shumë të rëndë, derisa thekson se këta të fundit meritojnë trajtim të dinjitetshëm dhe integritet. Përveç kësaj, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se duhet të ketë rritje të pagës bazë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, edhe qytetarët thonë se zyrtarët policorë meritojnë paga më të larta, për të cilët thonë se ‘janë gjithmonë në rrezik’.

Ndërkaq, më 27 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar shtesat për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në mbledhjen e qeverisë, ai ka thënë se në këtë propozim përfshihen gjithsej shtatë kategori të pozitave në polici. Sipas tij, deri më tani ka pasur pabarazi në mesin e policëve.

Këtë prezantim të shtesave, në një prononcim për KosovaPress, deputetja Musliu e quan të pa matur, jo të denjë dhe të pa studiuar.

Ajo shton se një vendim i tillë është marrë ‘sa për sy e faqe’, derisa potencon se pa kënaqësi të tilla nuk ka vetëm njësia elitare, por e gjithë Policia e Kosovës, duke përfshirë edhe shërbyesit civil.

“Pamja dje e protestës së njësisë elitare dhe Policisë së Kosovës ishte një pamje shumë e rëndë, që nuk kisha pasur dëshirë asnjëherë ta shoh, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë. Kosova meriton pamje më të mira. Policia e Kosovës meritojnë trajtim të dinjitetshëm dhe integritet. Vetë fakti që ata janë detyruar që të protestojnë për të drejtat e tyre për pagat e tyre, unë mendoj që kjo flet mjaftueshëm për vendimin e qeverisë për shtesat. Thjeshtë ka qenë një vendim jo i denjë, një vendim i pamatur, një vendim i pa studiuar dhe thjeshtë është bërë një vendim sa për sy e faqe. Nuk ka kënaqësi vetëm njësia elitare, por kanë pakënaqësi të gjithë Policia e Kosovës, duke përfshirë në këtë rast shërbyesit civil të cilët punojnë dhe asistojnë policët në terren nga zyra”, tha Musliu.

Sa i përket deklaratave të Kurtit për pajisjet deri në 10 mijë euro, Musliu i quajtur tallje për policinë.

“Po besoj që policia udhëtojnë në shtëpi me autoblinda e me ata jelekët mbrojtës e gjëra të tilla…Deklaratat e Albin Kurtit ndaj Policisë së Kosovës janë tallje me Policinë e Kosovës, me krenarinë e vendit tonë dhe ata djem në të cilët është investuar me dekada qoftë nga institucionet shtetërore, qoftë nga bashkësia ndërkombëtare, nuk e meritojnë këtë tallje nga kryeministri i vendit. Thjeshtë është një tallje dhe është fitim në kohë i Albin Kurtit për atë se çfarë po përballet ai tani”, tha ajo.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se fakti që pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan para qeverisë, dëshmon se ekzekutivi aktual duhet të reflektojë dhe t’i merr për bazë kërkesat e tyre. Ai shton se duhet të ketë një rikategorizim sa i përket shkallës së rrezikshmërisë.

Shala në prononcimin për KosovaPress, thekson se në një vendim të ri duhet të ketë rritje të pagës bazë për zyrtarët policorë, derisa shton se ‘janë të vetmit që ndikojnë në mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit tonë’.

“Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive në kuadër të Policisë së Kosovës, dje për herë të parë pas formimit të Policisë së Kosovës dhe pas shpalljes së pavarësisë dolën në mënyrë demonstrative në protestën e tyre të organizuar për të drejtat e tyre themelore, fondamentale me të cilat niveli politik deri më tani nuk ka mundur t’i menaxhojë dhe t’i akomodojë sipas politikave qeveritare. Pra, kjo e dëshmon faktin që qeveria aktuale duhet të reflektojë dhe t’i merr për bazë kërkesat e tyre, të kemi një ri kategorizim sa i përket shkallës së rrezikshmërisë. Por, njëkohësisht do të duhet të kemi rritje të pagës bazë për zyrtarët e Policisë së Kosovës, sepse këta janë të vetmit në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”, potencon Shala.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë thotë se vërehet fakti që qeveria do të tentojë t’i hakmerret pjesëtarëve të njësisë elite të policisë, që morën pjesë në protestën e ditës së djeshme.

Se Policia e Kosovës meriton paga më të larta e thonë edhe qytetarët, të cilët shprehen të mllefosur me punën e qeverisë për këta të fundit.

Ismet Jusufi vlerëson se paga e zyrtarëve policorë duhet të jetë dy mijë euro, derisa vlerëson lartë punën e tyre për sigurinë e vendit.

“O vallahi kurrqysh, se këqyre Policisë tonë duhet me ia bë dy mijë euro, se këta janë rënë kësaj here e kane treguar vetën, edhe e kanë vendosur kufirin aty. Mos të kishin qenë policia, aty gjysma e Mitrovicës ish shkuar, bre Zoti i ruajt këta. Nga dy mijë euro duhet t’ia bëjnë rrafsh”, thotë Jusufi.

Kurse, qytetari Selim Limani e quan skandal të madh veprimin e qeverisë lidhur me shtesat e policëve, derisa e kritikon kryeministrin Kurtin për ‘mos dëgjimin e halleve’ të këtyre të fundit.

“Unë e komentoj punën e Qeverisë së Kosovës për Policinë e Kosovës skandalin më të madhin, që është duke ia bërë policisë. Rrogat e vogla, kurrfarë sigurimi jo, polici çdo minutë është në rrezik të jetës. Policia neve na mbrojnë këtu, mos të flasim për rastet që po ngjajnë çdo ditë…Kjo është skandal i madh…Është shumë gabimisht drejt për së drejti për Kurtin. Pse bile nuk po del me bisedua me ata, pse nuk po del me i qajtë hallet me ata çfarë kanë, me i pyet…Jo veç kryet përpjetë unë jam, sot je nesër nuk je”, thotë Selimi për KosovaPress.

Po ashtu, në mbështetje të Policisë së Kosovës ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) të Policisë së Kosovës si dhe paralajmërimit për protestë edhe të Njësisë Speciale Operative.

Ky Këshill ka kërkuar që kërkesat e policëve elitarë për shtesat e rrezikshmërisë të plotësohen.

Sipas tyre, me protestën e NJSI-së, “policët protestues nuk kërkojnë asgjë më shumë se realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe njerëzore që iu takojnë me ligjet në fuqi dhe dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Dje (e mërkurë), Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës. Këto dy njësi elitare policore po kërkojnë nga ekzekutivi që të rishikohet kategorizimi për rrezikshmërinë në punë. Me dhjetëra prej tyre, të uniformuar kërkuan që rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.

Ndërkaq, më 27 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa prezantoi shtesat për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, shtoi aplikimi tyre do të fillojë nga paga e muajit nëntor. /kp

Back to top button