Policia në kufi gjen dy BMW X6 të vjedhura para 12 vjetësh
Policia kufitare e Kosovës në pikë kalimin kufitar në Vermicë identifikon dy automjete të tipit BMË X6 të vjedhura që nga viti 2010.
Policia ka njoftuar se gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të menaxhimit dhe kontrollit efikas të kufirit shtetëror fillimisht më 22 maj kanë kontrolluar veturën BMW X6, ngjyrë e zezë, me targa të Shqipërisë.
“Pas kryerjes së punës dhe dyshimeve të ngritura se në numrin identifikues të automjetit mund të ketë ndërhyrje mekanike, në bashkëpunim me Policinë e FRONTEX-it janë kryer verifikime dhe hetim më i detajuar lidhur me automjetin në fjalë dhe prejardhjen e tij. Bazuar në të gjeturat dhe bashkëpunimin PK-FRONTEX, ka rezultuar se ky automjet rezulton të jetë vjedhur në Itali në vitin 2010 dhe më pastaj i falsifikuar dhe i regjistruar në Shqipëri. Gjithashtu merret vesh se një automjet i njëjtë me të njëjtin numër identifikues është në qarkullim në Itali”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu sot në hyrje për në Kosovë zyrtarët policor kufitar kanë kontrolluar veturën tjetër po ashtu e tipit BMW X6, ngjyrë e bardhë, me targa të Shqipërisë dhe pas verifikimeve të nevojshme në bashkëpunim me autoritetet dhe FRONTEX-in, është konstatuar se edhe ky automjet raportohet të jetë vjedhur në Itali në vitin 2010, përderisa merret vesh se një automjet i njëjtë me të njëjtin numër identifikues është në qarkullim në shtetin e Lituanisë.
Policia tutje ka thënë se lidhur me këtë çështje është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit janë iniciuar rastet ”vjedhje dhe falsifikim i automjetit” dhe rastet adresohen te njësia kompetente për hetime të mëtejme./21Media
