Policia njofton se janë larguar arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit

Disa nga arinjtë që ishin paraqitur në fshatin Bellobrad të Dragashit, në afërsi të shkallës, njofton Policia e Kosovës.
Sipas policisë arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimet e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara.
“Policia, konkretisht Stacioni Policor në Dragash, fillimisht ka shtuar patrullimet policore në zonën e fshatit Bellobrad dhe ka njoftuar për bashkërendim institucionet përgjegjëse: Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës; Drejtorin e Parkut Kombëtar “Sharri”; Drejtorin Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër” nga Dragashi. Nga Shoqata e Gjuetarëve ‘Dhia e Egër’ është konfirmuar se aksioni për largimin e arinjve është përfunduar me sukses. Arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia ka njoftuar banorët e Bellobardit dhe rrethinës se arinjtë janë larguar dhe zona është e sigurt për qytetarët.
“Falënderojmë të gjitha institucionet dhe shoqatën e gjuetarëve për bashkëpunimin e treguar në këtë rast”, thuhet nga Policia.
Pas paraqitjes së arinjve në fshat, Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Sezai Surroi” në Bellobrad të Dragashit javën e kaluar ishte drejtuar Policisë me një kërkesë zyrtare për ndërmarrjen e masave të menjëhershme të sigurisë.
“Në emër të Shkollës ShFMU ‘SEZAI SURROI’ Bellobrad, ju drejtohemi me këtë kërkesë që të ndërmerrni masa të menjëhershme sigurie për eliminimin ose largimin e arinjve që janë shfaqur në territorin e fshatit tonë. Prania e këtyre kafshëve të egra po paraqet rrezik serioz për nxënësit e shkollës sonë, për stafin arsimor si dhe për të gjithë banorët e fshatit, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla”, thuhet në kërkesë./21Media