Policia: Nuk pati eskalim në defilimin e maturantëve në veri
Policia e Kosovës ka thënë se të premten nuk ka pasur ndonjë eskalim gjatë defilimit të maturantëve në Mitrovicë të Veriut.
Gjatë ditës, politikani serb, Aleksander Arsenijeviq, publikoi një video në të cilën shihet intervenimi i Policisë së Kosovës në këtë defilim të maturantëve. Aty një polic shihet tek ndërhyn te një i ri dhe dëgjohet tek i thotë të mos ketë provokime. Në pamje shihet edhe një person që bën shqiponjën. Policia megjithatë ka vlerësuar se aktiviteti ka përfunduar qetë dhe pa probleme.
“Policia e Kosovës, stacioni në Mitrovicë të Veriut, dëshiron të sqaroj për opinionin publik që një pjesë e raportimeve për ‘protestë’ dhe ‘eskalim’ në Mitrovicë të Veriut janë të pavërteta dhe të pasakta. Aktiviteti të cilit i referohen këto raportime nuk kanë të bëjë as me protestë e aq më pak me ndonjë eskalim. Aktiviteti në fjalë është defilim i maturantëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të cilin paraprakisht ata e kanë njoftuar në Policinë e Kosovës. Me rastin e raportimit dhe njoftimit Policia e Kosovës është përkujdesur për mbarëvajtjen dhe kujdesin për këtë aktivitet, i cili ka përfunduar qetë dhe pa ndonjë problem”, thuhet në reagim të Policisë. “Gjatë festimit të maturës kanë ndodhur disa provokime dhe me qëllim evitimin e ndonjë përshkallëzimi Policia ka reaguar. Situata është qetësuar dhe maturantët kanë vazhduar festën e tyre pa pasur nevojë për reagim shtesë”.
Për rastin kanë reaguar organizata të shoqërisë civile në veri të cilat kanë kërkuar masa ndaj policit që shihet në video.
E shefi i misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka shkruar në Twitter se është i shokuar dhe se e dënon “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj një të riu në Mitrovicën e Veriut”.
“Ia kam shprehur shqetësimet e mia udhëheqjes së Policisë së Kosovës dhe jam i bindur se ata që janë përgjegjës për këtë akt të papranueshëm do të mbahen përgjegjës në përputhje me sundimin e ligjit”, ka shkruar ai.