Policia për RTV21: Për tri vjet, mbi 130 vrasje në Kosovë

Që nga vitit 2018 deri në gusht të vitit 2021, në Kosovë kanë ndodhur 134 vrasje, prej të cilave 49 vrasje, nga neni 178-172 “Vrasja” dhe 51 vrasje të rënda, nga neni 179-173 “Vrasja e Rëndë”. Kështu ka bërë të ditur policia për rtv21.tv, sipas së cilës, për periudhën tri vjeçare, më së shumti vrasje ka pasur në vitin 2018.
Sipas të dhënave të policisë, në vitin 2018 kanë ndodhur 34 vrasje, 22 vrasje dhe 12 vrasje të rënda. Në vitin 2019, kanë ndodhur 20 vrasje, 8 vrasje dhe 12 vrasje të rënda. Ndërsa, në vitin 2020, kanë ndodhur gjithsej 27 vrasje, 12 vrasje dhe 15 vrasje të rënda.
Ndërkaq, deri në gusht të vitit 2021 kanë ndodhur 19 vrasje, 7 vrasje dhe 12 vrasje të rënda, shkruan rtv21.tv
Policia e Kosovës ka shtuar se, rastet e vrasjeve i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve në organet e drejtësisë.
“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla. Në aspektin e parandalimit përveç Policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vetëdijesimit apo senzibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi.”, ka bërë të ditur tutje policia./21Media

Back to top button