Policia përdori gazlotsjellës kundër “jelekverdhëve”

Rreth 5 mijë protestues janë bashkuar në qendër të kryeqytetit të Francës

Policia në Paris ka gjuajtur gaz lotsjellës kundër “jelekverdhëve” në qendër të Parisit, në protestën e organizuar kundër rritjes së çmimit të karburanteve.

Rreth 5 mijë protestues janë bashkuar në qendër të kryeqytetit, dhe gati 211 persona janë arrestuar. Te protestuesit, policia ka gjetur armë të ftohta, si çekiç, shkopinjë bejsbolli, etj.

Qeveria e presidentit Emmanuel Macron ka paralajmëruar se protestat e reja të “jelekverdhëve” në Paris sot, do të keqpërdoren nga turmat e “radikale dhe rebele”.

Lëvizja e “jelekverdhëve” ka ardhur kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, por ministrat kanë thënë se përmasat e protestës janë rritur nga protestuesit e dhunshëm.

Shkas për protesta ishte vendimi i presidentit Macron se do të rrisë taksat për karburante. Por, ai më 5 dhjetor ka njoftuar se ky vendim do të shfuqizohet. Me vendimin e Macronit nuk janë të kënaqur protestuesit, të cilët kanë rritur kërkesat e tyre, përfshirë edhe uljen e taksave të tjera dhe rritjen e pagave.

Para pak ditësh, protestat në Francë përfshinë edhe futbollin, për shkaqe sigurie është shtyrë ndeshja mes PSG-së dhe Montpellier.

Protestat filluan më 17 nëntor dhe shumë shpejt u rritën në numër, duke bllokuar rrugët në gjithë Francën si dhe qarkullimin nëpër shumë vende publike./21Media

Back to top button