Policia po kryen bastisje në vendbanimin e Shehollit

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në vendbanimin e Fatmir Shehollit, i cili u arrestua sot nën dyshimin për përfshirje në spiunazh.

Përmes një njoftimi për media, Prokuroria tha se janë zhvilluar hetime disa mujore, ndërkaq Sheholli është arrestuar sot, më 9 tetor në rajonin e Prishtinës nga hetuesit policorë të Drejtorisë për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në Policinë e Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ai është ndaluar për 48 orë dhe autoritetet po kryejnë bastisje në vendbanimin e tij me qëllim të sigurimit të provave të tjera materiale.

“Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë”, njoftoi Prokuroria.

Back to top button