Policia: Rreth 1 mijë e 500 pjesëmarrës në protestën në veri

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se protesta e sotme në veri ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar. Nga vlerësimet në terren, sipas Policisë, në protestë kanë qenë rreth 1.500 pjesëmarrës.
Policia ka demantuar spekulimet për gjoja pengimin e autobusëve në Shtërpcë, që kanë pasur për qëllim shkuarjen në protestë.
“Referuar deklarimeve dhe publikimeve të disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje. Policia e Kosovës siç ka njoftuar përmes komunikatës së saj para fillimit të protestës, ka theksuar njohjen e të drejtës ligjore për të protestuar në mënyrë të qetë nga secili qytetarë si dhe angazhimet policore në respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim.”, është bërë e ditur nga PK.
KosovaPress ka raportuar se në protestë është thënë mes tjerash se shqiptarët dhe serbët kanë jetuar së bashku ndër vite, andaj nuk është ndonjë problem të vazhdohet kjo bashkëjetesë edhe në të ardhmen. Por, problemi qëndron mes serbëve dhe qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti, për të cilin është thënë se “po dëshiron t’ i zhdukë serbët nga Kosova”.
Përveç kryetarit të Listës serbe, Goran Rakiç, kanë folur edhe kryetari i komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, ish kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq etj. Ata kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve Dejan Pantiq dhe të tjerëve, pastaj tërheqjen e forcave policore nga veriu, si dhe anulimin e listës së arrestimeve me të dyshuar serbë.

Back to top button