Kaloni te përmbajtja kryesore

Policia shkatërroi 763 armë të vogla dhe të lehta në Prelez

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer shkatërrimin e 763 armëve të vogla dhe të lehta, të cilat janë konfiskuar në aksione të ndryshme nga organet e rendit.

Shkatërrimi i armëve është realizuar në fshatin Prelez, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara ligjore dhe vendimit të gjykatave.

Në ceremoninë e shkatërrimit të armëve kanë marrë pjesë kolonel Gazmend Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës; Nuno Queirós, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë; përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësues nga ambasadat: gjermane, franceze, suedeze, britanike, holandeze, norvegjeze si dhe zyrtarë të lartë institucionalë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia.

“Drejtori Hoxha dhe z. Queirós gjatë fjalimit të tyre potencuan se ky aktivitet është një moment shumë i rëndësishëm në pasqyrimin e angazhimit, përkushtimit dhe kontributit të Policisë së Kosovës për avancimin e qëndrueshëm të sigurisë. Ky shkatërrim i armëve të konfiskuara është rezultat i punës dhe përkushtimit të madh të PK-së ndaj sundimit të ligjit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button