Policia: Sulmi ndaj dy shqiptarëve u krye nga një grup kriminelësh të maskuar

(Lajm i përditësuar)


Policia: Sulmi ndaj dy shqiptarëve u krye  nga një grup kriminelësh të maskuar

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth sulmit ndaj shqiptarëve të enjten në veri të vendit.

Sipas policisë viktimat janë sulmuar nga një grup kriminelësh të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer.

“Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë për të parandaluar sulmin, përderisa personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit të Mitrovicës Veri. Si pasojë e sulmeve dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor. Aktet e tilla kriminale, nuk i shërbejnë sigurisë dhe qetësisë publike, iu shërbejnë vetëm individëve apo grupeve të caktuara kriminale, andaj Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja policore, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi.”, thuhet në njoftimin e policisë.


Kurti: Nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka hequr dorë nga vendimi që kryetarët e komunave veriore të ushtrojnë detyrat në objektet komunale, pavarësisht situatës së krijuar në veri.

Kurti  tha se kryetarët e zgjedhur atje janë legal dhe mandatin duhet të ushtrojnë në bazë të kompetencave të tyre.

“Nuk duhet të ketë paralelizma në veri, nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele”, deklaroi ai para gazetarëve.

Kurti foli edhe për vendimin e dy kryetarëve të komunave veriore nga Partia Demokratike e Kosovës të cilët s’janë duke dalë në punë në objektet e Komunave, veprim ky që është në përputhje edhe me kërkesën ndërkombëtare.

Ai tha se beson që kryetarët duhet të jenë në ndërtesa publike të Komunave, meqë s’ka ndonjë gjendje të jashtëzakonshme.

Ndërsa lidhur me raportet me ShBA-të, Kurti ka thënë se ato janë të shkëlqyeshme mirëpo ka raste kur dallojnë në qasje, e cila sipas tij nuk është thelbësore.


Dy shqiptarë sulmohen në veri të Mitrovicës

Dy shqiptarë janë sulmuar sot nga një grup serbësh në veri të Mitrovicës, raporton RTV21.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia derisa të lënduar janë dërguar në spital.


Në sheshin e Mitrovicës së  Veriut kanë dalë dhjetra qytetarë të komunitetit serb

Dhjetra qytetarë serbë janë mbledhur në sheshin e Mitrovicës së  Veriut, raporton RTV21.


 Në Zveçan aktualisht situata e qetë

Situata në Zveçan aktualisht është e qetë raporton RTV21, nga vendi i ngjarjes.

Janë mbledhur protestuesit të cilët kanë vendosur çadra dhe ulëse, dersia në sfond dëgjohet muzikë me përmbajtje nacionaliste.

Më herët protestës iu janë bashkuar edhe punëtorët të nacionalitetit serb të Trepçës.


Osmani kërkon ndihmën e aleatëve “në ndaljen e veprimeve destabilizuese të Serbisë në veri”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi ndihmën e shteteve aleate për siç tha të ndalur veprimet destabilizuese të Serbisë në veri të Kosovës.

Këto komente e para  e vendit i bëri në Moldavi, duke shtuar se duhet të kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel.

“Është me rëndësi që nga Serbia të kërkohet t’i ndalë veprimet destabilizuese dhe bandat kriminale. Këto janë grupe që janë në listën e zezë zë SHBA-së dhe të Britanisë. Ata po terrorizojnë qytetarët çdo ditë…Na duhet ndihma e aleatëve të jemi më të fokusuar në luftimin e grupeve, por urdhri ndaj tyre vjen nga Vuçiqi. Dihet kush i nxit ato, pra presioni duhet të jetë te Beogradi që ta ndalin dhunën… Kur ka dhunë, çdo zgjidhje mund edhe të fokusohet në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit”, tha presidentja Osmani.

Më tej ajo tha se Serbia ka shërbyer si satelit i Rusisë derisa tha se në Samitin e liderëve evropianë në Moldavi është për të kërkuar përkrahje të partnerëve t’i luftuar këto tendenca dhe të parandalohet ndikimi i këtyre…

Osmani po ashtu njoftoi nuk e ka plan të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.


Borrell: Dhuna nuk është rruga e duhur

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, gjatë hyrjes në Samitin e liderëve Evropianë që do të mbahet në Kishinau të Moldavisë foli sërish për tensionet në veri.

Ai njoftoi se është në pritje të një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, meqë siç tha me palën kosovare takimi u zhvillua dje.

”Jam në pritje të një takimi me [Aleksandër] Vuçiqin”. Duhet të insistojmë se dhuna nuk është rruga, dhuna duhet të ndëshkohet dhe kryesit e kësaj dhune duhet të vihen para drejtësisë. Duhet të shmanget çfarëdo lloj përshkallëzimi dhe lëvizjet e pakoordinuara”., tha Borrell, duke pranuar se ka shumë probleme  në Ballkan dhe se Bashkimi  Evropian duhet të punojë për ta stabilizuar kontinetin.


Shefi i NATO-s: Dërgimi i trupave shtesë nuk nënkupton që heqim dorë nga zgjidhja politike

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të enjten se dërgimi i trupave shtesë në Kosovë “nuk do të thotë” se aleanca heq dorë nga një zgjidhje e mundshme politike për përplasjet e vazhdueshme.

Vërejtjet e Jens Stoltenberg erdhën gjatë pragut të tij përpara takimit jozyrtar të ministrave të jashtëm të NATO-s në kryeqytetin e Norvegjisë Oslo.

Të martën  Stoltenberg bëri të ditur se NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në veri të Kosovës për të garantuar sigurinë sipas rezolutës së OKB-së.

Por, sipas tij, zgjidhja politike përmes dialogut është më e duhura.

“Dërgimi i trupave shtesë në Kosovë nuk do të thotë që NATO-ja heq dorë nga zgjidhja politike e tensioneve”, ka thënë Stoltenberg nga Oslo të enjten, transmeton AnadoluAgency.

 

Ai shtoi se ata po dërgojnë trupa për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe se një batalion është në gatishmëri në rast se situata përkeqësohet.

Tensionet kanë kapluar Kosovën me protestues dhe forca të sigurisë që përleshen në komunat veriore të mbizotëruara nga serbët për zgjedhjen e kryebashkiakëve shqiptarë etnikë. Gjatë përleshjeve, të paktën 30 ushtarë të NATO-s u plagosën.


Nënshkrim” për pjesëmarrje në protestë

Edhe sot Qytetarët në Zveçan filluan të mblidhen në orët e hershme të mëngjesit të 1 qershorit në protestë kundër kryetarit shqiptar.

Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të kësaj komune, që funksionon nën sistemin e Serbisë, u regjistruan në listën e të punësuarve që u vendos në një tavolinë, si dëshmi që “vijnë në punë”, raporton rel.

Forcat e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, janë të dislokuara në të gjithë Zveçanin. Në këtë komunë në veri të Kosovës, ashtu si edhe në Leposaviq e Zubin Potok – që të tria të banuara me shumicë serbe – protestat vazhdojnë prej ditësh. Protestuesit kërkojnë tërheqjen e kryetarëve shqiptarë dhe të njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri.


Serbët në veri protestojnë në ditën e pestë me radhë

Në tre komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë për katër ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.

Serbët kanë paralajmëruar edhe për sot protesta në këto komuna nga ora 7:00 e mëngjesit.

Ndërsa dje në Zveçan situata herë pas here është tensionuar, ndërsa nuk kanë munguar sulmet ndaj ekipeve të gazetarëve.

Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Back to top button