Policia thotë se armatimi në veri u gjet i fshehur në një pusetë kanalizimi dhe në një shtëpi të pa banuar

Policia e Kosovës dje në veri të vendit ka gjetur arsenal armësh në dy lokacione të ndryshme.

Bëhet e ditur se në lokacionin e parë, armët ishin fshehur mbrapa një ndërtese në një pusetë kanalizimi.

“Nga njësia e hetimeve rajonale, mbrapa një ndërtese në një pusetë kanalizimi, ka gjetur dhe sekuestruar tri armë automatike AK-47, dy karikatorë me nga 30 fishekë të cal.7.62 mm, dy karikatorë të zbrazur, 11 fishekë të armës së gjatë, një këllëfë të pistoletës dhe një çantë ushtarake. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh.

Ndërsa, në rastin e dytë, policia tha se ka gjetur një sasi të madhe të armatimit dhe eksplozivit në një shtëpi të pabanuar.

“Është raportuar se nga njësia e hetimeve, në një shtëpi të pa banuar, ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit të modeleve të ndryshme si dhe eksplozivit. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Back to top button