​Policia thotë se protesta e PSD-së përfundoi e qetë dhe pa incidente

(Lajm i përditësuar)

Protesta e ftuar nga Partia Socialdemokrate është zhvilluar e qetë dhe pa ndonjë incident.

Protestuesit që dolën për të kundërshtuar Marrëveshjen e Ohrit kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e qeverisë.

Aty protestuesit kanë hedhur tym të zi si dhe janë ngritur flamujt e bardhë.

Policia e Kosovës tha se aktivitetet e protestuesve janë realizuar pa ndonjë incident.

Policia e Kosovës me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së sotme të mbajtur në Prishtinë, kishte bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore.

“Policia e Kosovës me njësitet e saja ishte e angazhuar për të siguruar mbarëvajtje të protestës, në mënyrë që ajo të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike”, tha policia

Përfundon protesta e PSD-së, bëjnë thirrje të dorëhiqet Kurti

Ka përfunduar protesta e PSD-së e thirrur për ta kundërshtuar Marrëveshjen e Ohrit, me të cilën ata thonë se kryeministri Albin Kurti ka pranuar ta krijojë Asociacionin.

Për këtë arsye, ata gjatë protestës kanë bërë thirrje për dorëheqjen e Kurtit.

“Flamujt e bardhë për dorëzimin e Qeverisë. Tymi i zi për terrin e zymtësinë e marrëveshjes. Por, e ardhmja është e qytetarëve si dhe Republika”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.

Tym para Qeverisë

Protestuesit kanë filluar të gjuajnë tym para ndërtesës së Qeverisë.

Paraprakisht, kishin hequr flamujt e Kosovës para Qeverisë dhe vendosën flamuj të bardhë si simbol dorëzimi.

Nis protesta e PSD-së kundër Asociacionit

Në sheshin Zahir Pajaziti tashmë ka fillur protesta e thirrur nga Partia Socialdemokrate kundër marrëveshjes së Ohrit e ku do të kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti shkaku i pranimit të themelimit të Asociacionit.

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka thënë se Kosova pas kësaj marrëveshje nuk ka marr siguri se do ta njohin pesë vendet anëtare të BE-së, ose ndonjë garanci për anëtarësim në NATO.

Policia gati për protestën e PSD-së

Policia ka bërë të ditur se janë bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore, para protestës së PSD-së, e cila pritet të zhvillohet sot me fillim nga ora 14:00.

Në njoftimin e tyre thuhet se policia ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave për mbarëvajtjen e protestës.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhet në njoftim.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se do të ndërmarrin masat e nevojshme për të siguruar që protesta të kalojë pa ndonjë incident.

“Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore. Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Me këtë rast fton qytetarët, pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

07:51 – Protestohet kundër marrëveshjes së Ohrit, kërkohet dorëheqja e Kurtit

Partia Socialdemokrate do të mbajë sot protestë kundër marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Ohër më 18 mars. Në këtë protestë do të kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Protesta nis në orën 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku edhe do të mbahen fjalimet.

PSD vlerëson se kryeministri Kurti s’ka legjitimitet, prandaj duhet të dorëhiqet.

“Rrenat që pushteti i përdorte për ta arsyetuar marrëveshjen i patën këmbët e shkurtra. Propaganda nuk iu eci. Revolta e madhe qytetare është dëshmia për këtë. Tashmë, 1 javë pas dakordimit në Ohër, po e kuptojmë qartë se çka lë të kuptojë Plani Evropian dhe Aneksi i Zbatimit. Në njërën anë, marrëveshja normalizon mosnjohjen në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe, me vullnetin politik të Kurtit, Kosova heq dorë nga kërkesa për njohje. Në anën tjetër, Kosova, me vullnetin politik të Kurtit, merr përsipër të krijojë Asociacion njëetnik me autonomi substanciale si formë e pushtetit paralel përballë pushtetit qendror. Marrëveshja është jashtëzakonisht e dëmshme. Prandaj rezistenca duhet të jetë e përbashkët e masive. Nesër, me 25 mars, protestojmë duke kërkuar dorëheqjen e Kurtit. Ky kryeministër nuk ka legjitimitet të nënshkruajë marrëveshje të tillë”, thuhet në deklaratën e PSD-së.

Back to top button