Politikanët perëndimorë kërkojnë nga BE-ja dhe SHBA-ja qasje më të ashpër ndaj Serbisë

Politikanët kryesorë të huaj nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të kenë qasje më të ashpër ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Sipas një raporti nga Tagespiegel, një nga haruesit kryesorë të kësaj letre janë kryetari i komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth (SPD) dhe ai i Senatit të SHBA-së, Bob Menendez. Autorët përfshijnë gjithashtu kryetarët e komitetit të punëve të jashtme të Dhomës së Komunave Britanike dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.
“Përpjekjet e Serbisë për të prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet të denoncohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon të minojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, thuhet në letrën e ekspertëve të politikës së jashtme drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme Josep Borrell dhe Ministrave të Jashtëm Anthony Blinken (SHBA) dhe James Cleverly (Britani).
“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politikë me qendër Beogradin në Ballkan”, thuhet tutje në letër.
“Asnjë politikë me qendër Beogradin”
“Qasja aktuale nuk po funksionon”, shkruajnë Roth, Menendez dhe homologët e tyre. Ata gjithashtu bëjnë thirrje qëtë shqyrtohet një politikë e diplomacisë për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.
“Ata që mbrojnë shtetin ligjor dhe demokracinë nuk duhet të qortohen”, vijon letra më tej.
“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj KFOR nënvizon mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike”. /21Media