Posti i presidentit e “çon” vendin në zgjedhje?!

Ende pa u certifikuar rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve të reja në fillim të këtij viti, nëse nuk zgjedhet presidenti i ri. Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në fund të muajit prill dhe Kurti thotë se nuk i kanë votat e nevojshme, ani pse për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë thotë se nuk i duhet mbështetja e partive të tjera shqiptare.

“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin dhe afati i fundit është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Natyrisht se ekziston mundësia teorike dhe praktike që të shkojmë në zgjedhje. 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Herën e kaluar nuk i bëmë dot 61, ndërsa 80 është numër shumë më i madh se 61. Kësaj radhe 61 i kemi, por 80 nuk i kemi. Ne e kemi parë deklarimin e presidentes. Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe Qeverinë, gjithashtu duhet ta votojmë buxhetin – këta janë hapa më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa deri sa të vijmë te rizgjedhja e presidentes., u shpreh Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se synon edhe një mandat për t’i jetësuar, siç ka thënë, planet e saj në të mirë të vendit. Por, nëse kandidimin e saj nuk e përkrahin deputetët në Kuvend, Osmani ka paralajmëruar se do t’i ketë përballë në zgjedhjet e ardhshme përmes aktivitetit të saj politik. Megjithë paralajmërimet e presidentes.

‘’Ta kemi këtë vazhdimësi të këtyre punëve të mira që kemi bërë. Nëse partritë politike nuk e dëshirojnë një gjë të tillë unë i kthehem jetës politike në mënyra të tjera duke u angazhuar politikisht sic kam qenë në të kaluarën.’ tha Osmani.

Ndërkohë, përfaqësuesit e partive të tjera shqiptare nga PDK, LDK dhe AAK nuk kanë preferuar të flasin rreth formimit të institucioneve dhe zgjedhjes së presidentit, me arsyetimin se janë duke pritur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për të parë përfundimisht se si do të jetë përbërja e Kuvendit.

Por ligjëruesi i shkencave politike, Basri Muja, vlerëson se për zgjedhjen e presidentit të ri duhet bashkëpunim ndërmjet partive politike, për shkak se edhe Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit kërkon një shumicë të gjerë prej 80 votash në raundet e para.

“Presidenti mund të zgjidhet pa një marrëveshje politike paraprake, por praktikisht kjo është e pamundur. Kushtetuta kërkon dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve në dy raundet e para, pra kërkon një shumicë të gjerë. Nëse nuk ka bashkëpunim, vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri zgjedhor. Nëse nuk ka bashkëpunim vendi rrezikon të hy në një cikël të ri zgjedhor”, tha Muja për rtv21

Kushtetuta e Kosovës, neni 86, përcakton procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri:

Grafika: Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit të ri

  1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
  2. Zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
  3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.
  4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
  5. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet President i Republikës së Kosovës.
  6. Nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.
Back to top button