Posti i presidentit “trazon” ujërat politike

Ndërsa ka mbetur edhe rreth një muaj deri në përfundimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, KQZ-ja ende po vazhdon rinumërimin e votave për t’i hapur rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar për RTV21 se prioritet mbetet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re. Ndërkohë, partitë e tjera parlamentare, PDK, LDK dhe AAK, presin që të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit.
Ligjëruesi i shkencave politike, Basri Muja, tha se tejkalimi i kësaj sfide është i mundur vetëm nëse ka vullnet politik.
“ Nëse partitë kanë vullnet politik, sado që afatet kushtetuese janë të ngushta, mund të arrihet zgjedhja e presidentit të ri. Ne ende jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, e më pas do të vijë radha e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit., tha Muja
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, deri më tani është e vetmja që ka shfaqur gatishmëri për një mandat të dytë në këtë post, ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht bisedimet me partitë politike për të kërkuar mbështetjen e tyre.
Osmani ka deklaruar se po kërkon edhe një mandat për të përfunduar punët në të mirë të vendit, duke përmendur edhe anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes e inicuar nga presidenti Trump, marrëveshje kjo që nuk u përkrah publikisht nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Politologu Albinot Maloku vlerëson se LVV-ja nuk ka vullnet politik për ta propozuar Osmanin edhe për një mandat tjetër.
“ Duket se LVV-ja nuk e ka me nxitim zgjedhjen e shefit të shtetit dhe nuk ka një vullnet të pastër për ta propozuar si kandidate të saj presidenten aktuale, Vjosa Osmanin. Kjo është gabim, sepse nga të gjitha subjektet politike është LVV-ja ajo që ka obligim dhe borxh moral e politik ta mbështesë zonjën Vjosa Osmani-Sadriu për presidente të vendit.”, tha Maloku për rtv21
Ndër juristë janë shtruar dilema se zvarritja e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe formimi i institucioneve të reja, Kuvendit dhe Qeverisë, mund ta shterojnë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.
Por, sipas juristit Anton Nrecaj, ekziston një zgjidhje për evitimin e zgjedhjeve të reja.
“ Për t’i evituar zgjedhjet e reja, partitë duhet të gjejnë një kandidat konsensual për t’u zgjedhur president.”, u shpreh ai.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ishte zgjedhur në këtë post më 4 prill 2021, me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo ishte votuar edhe nga një pjesë e deputetëve të LDK-së. Megjithatë, në rrethanat aktuale politike, disa deputetë të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së janë deklaruar se nuk do ta votojnë Vjosa Osmanin për një mandat të dytë në këtë post./RTV21/21Media