
Policia shton masat e sigurisë për “Sunny Hill”, paralajmëron bllokime rrugësh
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hartuar planin operativ për garantimin e sigurisë gjatë festivalit “Sunny Hill 2026”, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në fshatin Bërnicë të Prish
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hartuar planin operativ për garantimin e sigurisë gjatë festivalit “Sunny Hill 2026”, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Sipas policisë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë do të angazhohen në zonën e festivalit dhe në hapësirat përreth, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Në kuadër të masave të parapara, policia do të kujdeset për menaxhimin e hapësirës së festivalit, monitorimin e rendit publik, identifikimin e shkelësve të ligjit, si dhe rregullimin e trafikut në zonën ku do të zhvillohet ngjarja.
Policia paralajmëroi se për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe vizitorëve do të ketë bllokime të plota ose të pjesshme të rrugëve që çojnë drejt festivalit, si dhe riorientim të trafikut.
“Duke pasur parasysh fluksin e madh të automjeteve dhe personave që pritet të frekuentojnë festivalin, do të ketë bllokime të plota apo të pjesshme të rrugëve që çojnë për në zonën ku mbahet festivali, si dhe ridrejtim të trafikut rrugor. Andaj, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftim.
Për të lehtësuar qarkullimin, policia bëri të ditur se organizatorët kanë siguruar transport të organizuar nga Prishtina drejt festivalit dhe anasjelltas, duke u bërë thirrje qytetarëve ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Sipas njoftimit, në zonën e festivalit do të lejohen të qarkullojnë vetëm mjetet e autorizuara dhe personat me leje parkimi.
Policia theksoi se, varësisht nga situata në terren, mund të ndërmerren masa shtesë për menaxhimin e trafikut dhe orientimin e pjesëmarrësve, ndërsa qytetarët do të udhëzohen nga zyrtarët policorë në pikat përkatëse.
Në fund, Policia e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të respektojnë udhëzimet, në mënyrë që festivali të zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe të sigurt.

Më të fundit
Të gjitha →
Nga Shqipëria drejt tregjeve ndërkombëtare, automjetet ushtarake “Made in Albania” do të eksportohen në 30 shtete

Nga Shqipëria drejt tregjeve ndërkombëtare, automjetet ush*arake “Made in Albania” do të eksportohen në 30 shtete

Po kërkoni të notoni? Ja 11 këshilla për të qëndruar të sigurt në ujërat e hapura






