
“Skandaloze”, Çitaku: Kurti sot bëri një gabim ahistorik
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.
Çitaku ka thënë se kryeministri Kurti bëri një gabim ahistorik.
“Sot ishte përvjetori i masakrës në Studime, ku 116 civil të pambrojtur, gra e burra, pleq e fëmijë, u vranë brutalisht nga aparati shtetëror i Serbisë. Po sot, Kryeministri Kurti bëri një gabim ahistorik”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Çitaku tutje ka thënë se është shqetësuese se si bëhet barazimi palëve sa i përket provave materiale për të zhdukurit, të cilat prova gjoja gjenden nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve.
“Kjo Deklaratë përfundimisht e liron Serbinë nga përgjegjësia ndërkombëtare për zhdukjen me dhunë të individëve gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) kurse Kosovën e gjuan në rolin e palës që ka kryer krime në mënyrë institucionale, njëjtë sikur Serbia. Skandaloze”, ka thënë Çitaku.
Kosova dhe Serbia në takimin e së martës në Bruksel u pajtuan për Deklaratën për Personat e Zhdukur. Ndërkohë, diskutuan për Asociacionin dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në veri para pak ditësh./21Media

Më të fundit
Të gjitha →
Po kërkoni të notoni? Ja 11 këshilla për të qëndruar të sigurt në ujërat e hapura

Katy Perry e vendos flamurin e Kosovës në “hapësirë”

Dhurata Dora nxeh skenën para Katy Perryt





