PPS godet me tre “T” të tjera
Në dy prej tyre “Trajektorja” dhe “Talir” i dyshuar është lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski
Financimi i paligjshëm i VMRO-DPMNE, tenderët kinez për ndërtimin e autostradave si dhe ndërtimi i paligjshëm i tre shtëpizave në Zelenikovë janë pjesë e tre dosjeve të reja hetimore të PPS. Në dy prej tyre “Trajektorja” dhe “Talir” i dyshuar është lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski. PPS si rezultat i hetimeve do të kërkojë ngrirjen e një pjese të pasurisë së VMRO-DPMNE, përfshirë edhe të ndërtesës së re të partisë. Hetimet për “Talir” siç tha prokurorja Fatime Fetai kanë të bëjnë me financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE nga viti 2009 deri në fund të 2015.
“Hetimi i fundit që do të prezantojmë quhet “Talir” ku bëhet fjalë për financimin jo ligjor të partisë politike VMRO-DPMNE. Në këtë rast ekziston bazë për dyshim, edhe përkundër asaj që të dyshuarit të parë, i cili është kryetar i partisë politike, i ka njohur mirë kufizimet ligjore, i njëjti në periudhën prej vitit 2009-2015, ka mundësuar financimin e partisë kundër dispozitave ligjore. Me këtë rast motivet e të dyshuarit të parë ishin të natyrës personale dhe kanë qenë të lidhura me rritjen e fuqisë së tij politike, në partinë e tij dhe në shtet, dhe për të siguruar kontroll të plotë mbi partinë politike”, tha Fatime Fetai, Prokurore në PPS.
Sipas Fetait, lideri I kësaj partie ka pranuar mjetet e paligjshme për financimin e partisë, edhe ate rreth 4,9 milionë euro dhe më pas siç tha ajo ka formuar grup për pastrimin e parave, gjegjësisht duke keqpërdorur të dhënat e një pjesë të anëtarësisë partiake ku në emër të tyre janë kryer pagesat në llogarinë partiake. Pjesë e hetimit është edhe ndërtimi i selisë kryesore të kësaj partie, ndërsa nën hetime janë 14 persona të dyshuar. Prokurorja Lençe Ristovska tha se për këtë rast PPS 12 kërkesa do ti bëj për ngrirjen e pronave, që ka të bëjë selinë e VMRO-DPMNE, objekte, kullosa dhe ara, ku do të hetohet se për çfarë qëllimi janë shfrytëzuar një pjesë e tyre.
Hetimet në rastin “Trajektorja” janë kundër katër ish-funksionarëve qeveritar që janë të dyshuar se në procedurë për zgjedhjen e kompanisë për autostradat Kërçovë – Ohër dhe Milladinovci – Shtip ka pasur keqpërdorim të kompetencave dhe dëmtim të buxhetit për së paku 155 milion euro.
“Hetimi i dytë i quajtur “Trajektorja” është hapur kundër katër personave zyrtarë, ish-funksionar të lartë qeveritar, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se në pjesën e dytë të viti 2012 dhe gjatë vitit 2013, kanë ndërmarrë disa veprime me të cilat gjatë procedurës së përzgjedhjes së kompanisë për ndërtimin e segmentit rrugor Milladonvci – Shtip dhe Kërçovë-Ohër, i kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me të paktën 155.117.172 euro dhe kompanisë realizuese të projektit, i kanë mundësuar të fitoj pasuri për të njëjtën shumë”, shtoi Fatime Fetai.
Sipas prokurores Fetai, edhe pse dy kompani kanë dorëzuar ofertë për tenderin, të dyshuarit bisedimet I kanë udhëhequr vetëm me një kompani nga Kina, duke zgjedhur ofertën e saj më të shtrenjtë.
Ky rast ishte pjesë e bombave që ishin publikuar nga LSDM, ku dëgjohej biseda mes ish-ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
“Nikolla Gruevski: Mos është shumë! Mos të teprohet me këtë përqindje.
Mile Janakievski: Do ta marrim analogjinë e mëparshme. Ndërsa 3 është korrekte.
N.G: Provo me 15 pastaj do të shohim se si do të reagojnë”, Biseda e përgjuar Nikolla Gruevski – Mile Janakievski.
Ndërsa në rastin e tretë “Trevnik” hetohet ndërtimi i padrejtë i tre shtëpizave në Zelenikovë, për të cilin rast dyshohen tre veta. Ndërtimi i tyre ka nisur para se të sigurohet leja e ndërtimit.
Prokurorja Fetai foli edhe për rastin e Sopotit, ku theksoi se edhe pse nuk I është dhënë nga Këshilli I Prokurorëve Republika lënda që tanimë është e vjetëruar, nga dëshmia e dëshmitarit kryesor Ramadan Bajram, sipas saj, është konstatuar se ka bazë për vepër penale torturë.
Prokuroria Publike Speciale ka kërkuar nga shumica parlamentare që të vazhojë afatin prej 18 muajve për PPS për ngritjen e akuzave, si dhe nevojën për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Për rastet Monstra, SHkupi 2014, vdekjen e Martin Neshkovsit dhe Lagjen e Trimave, Janeva theksoi se nuk mund të jap hollësi për shkak se këto raste janë në procedure parahetimore./21Media