“Prapa shpinës sime punohej me kandidatë të tjerë”, çka tha Osmani për përplasjen me Kurtin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është deklaruar pasi partia e Kurtit, LVV-ja, nuk e propozoi për presidente edhe për një mandat, të cilin Osmani e kërkonte.

Dekreti i saj të premten për ta shpërndarë Kuvendin, pasi një ditë më parë nuk u zgjodh Presidenti i ri, u kundërshtua nga LVV-ja, e cila e ka çuar atë vendim për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata dje ka dalë me vendim duke vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

Duke folur për këtë dekret, Osmani mbrëmë  tha se “nuk është pejgamber të mos bëj gabime”.

“Unë nuk jam Pejgamber që të mos bëj asnjëherë në jetë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese”, tha Osmani.

“Edhe për president paraprak edhe për kuvend edhe për këtë kryeministër, ka dhjetëra herë që e kanë shkelur Kushtetutën. Përderisa unë jam e bindur vetëm duke u bazuar në interesin publik e kam marrë këtë vendim”, shtoi ajo për dekretin e nxjerrë nga ajo.

Osmani ka deklaruar se nuk është e vërtetë që ka refuzuar nënshkrimet e Vetëvendosjes për kandidaturë, por tha se kjo parti i ofroi që të futet si kandidate vetëm formalisht në garë, si oponente e Glauk Konjufcës.

Ajo shtoi nuk e ka kushtëzuar Kryeministrin Albin Kurti me asgjë edhe për një mandat, por e tëra që ka kërkuar ishte vetëm shanca që të shkohej deri në sallën e Kuvendit për të parë numrin e deputetëve që do të qëndronin në sallë dhe votat e koalicionit qeverisës.

Deklaroi se vetë Kryeministri Albin Kurti ia kishte komunikuar se nuk e përkrahin.

“Mu tha eja futu si kandidate vetëm formalisht, si oponente e z.Konjufca… dhe ta shohim se si po rrjedhë…Do të ishte absurde që të futem në një garë të tillë sa për sy e faqe, sa për t’u bërë korum, e asesi për t’u zgjedhur, asesi për ta marrë përkrahjen… Unë nuk kandidoj nga rruga, por nga ky institucion që e kam drejtuar më shumë se pesë vite… S’është dashur të bëhej një lojë e tillë me institucionin”, ka deklaruar Osmani.

Ajo tha se përderisa i kërkohej të punonte me opozitën për të siguruar vota, “prapa shpinës” punohej me kandidatë tjerë.

“Absolutisht nuk e kam kushtëzuar asnjëherë. E tëra që kam kërkuar apo propozuar është që të më jepet një shancë që të shkojmë në sallë, e të shohim sa deputetë do të mblidhen….Prapa shpinës time punohej me shumë kandidatë tjerë. Unë e kuptoja nga televizioni që po punohet me kandidatë të tjerë, përderisa mua më thuhej provo, provo me i bindë opozitën”, ka thënë Osmani.

Më pas tha se iu kërkuar që t’i sigurojë 85 vota, ndonëse nuk ishte i nevojshëm ky numër.

Osmani madje tha se Kurti e kishte vlerësuar punën e saj deri në superlativ duke i thënë “je presidentja më e mirë në shekullin 21”.

“Që ne do të vazhdojmë bashkë si ky binomi që i dha shpresë Kosovës, duke e vlerësuar punën time deri në superlativë, duke thënë je presidentja më e mirë në shekullin 21”, ka deklaruar Osmani.

Ajo tha se këto deklarata i ka dhënë edhe para, edhe pas zgjedhjeve.

“Këtë vlerësimin për presidentja më e mirë në shekullin 21, e ka dhënë edhe pas zgjedhjeve”, tha Osmani.

Gjykata Kushtetuese të hënën ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

Ankesën në Kushtetuese e kishte dorëzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës. Ai kishte kërkuar të vlerësohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit si dhe vendosjen e masës së përkohshme.

Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet “çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.

Back to top button