Pratipatti: Administrata Trump kërkon aleatë të fortë, s’mund të mbështetemi te një vend pa institucione

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Annu Prattipati thotë se Kosova po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik në vend. Ajo shton se Administrata Trump “kërkon aleatë të fortë” me të cilët mund të avancohen prioritetet e përbashkëta dhe se mundësitë për ta forcuar marrëdhënien ekonomike ndërmjet dy vendeve “mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon”.
“Formimi i një qeverie pas zgjedhjeve është një funksion bazik demokratik, dhe ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në humbje të mundësive për Kosovën. Administrata Trump kërkon aleatë të fortë me të cilët mund t’i avancojmë prioritetet tona; një vend pa institucionet bazë dhe me një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre është një partner te i cili nuk mund të mbështetemi gjithmonë plotësisht. Kompanitë amerikane kërkojnë qeveri të qëndrueshme dhe partnerë të besueshëm kur shqyrtojnë ku të investojnë, dhe paaftësia e Kosovës për t’i formuar institucionet mund të bëjë që kompanitë të bëjnë biznes diku tjetër. Mundësitë për ta forcuar marrëdhënien tonë ekonomike mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon. Kjo në fund të fundit është një vendim për përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, por ne i inkurajojmë ata të punojnë së bashku për ta përmbushur mandatin që populli i Kosovës ua ka dhënë.”, thotë Prattipati për Gazetën Express.
Diplomatja amerikane tha se një vend pa institucione kyçe dhe me “një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre” është një partner te i cili SHBA-ja nuk mund të mbështetet “gjithmonë plotësisht”.