Prattipati – Kurtit: Veprimet që dobësojnë stabilitetin, sfidë serioze për partneritetin tonë

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati në një përgjigje për RTV21 është shprehur e zhgënjyer më deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, i cili të dielën hodhi akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur “hije politike të opozitës” ndaj Vetëvendosjes.
Sipas saj, deklaratat e Kurtit kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë.
“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, ka theksuar Prattipati për RTV21.
Prattipati tutje tha se “Ne jemi duke e shqyrtuar me kujdes përgjigjen tonë, por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”.
Në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, e cila u mbajt dielën kryetari i VV-së, Albin Kurti ka thënë se “gjykata më e lartë në vend po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”.
Akuzat janë bërë pas vendimit të Kushtetueses që ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. /RTV21/21Media