Presidenca e konfirmon që BE nuk do të dërgojë Mision Vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit

Presidenca e Kosovës ka konfirmuar se Bashkimi Evropian nuk do të dërgojë Mision Vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në reagimin e Presidencës thuhet se BE ka deklaruar se për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve, nuk është i mundur dërgimi i një misioni, por se po shqyrtohet dhe koordinohet një prani ndërkombëtare përmes Zyrës së BE’së dhe shteteve anëtare.
“Prandaj, paraqitja e kësaj çështjeje si “injorim” i kërkesës së u.d. Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve”, thuhet
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, u kishte dërguar më 5 maj letërPresidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, përmes së cilës kishte ftuar Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 7 qershor 2026.
“Ftesa e u.d. Presidentes Haxhiu për Bashkimin Evropian është bërë në frymën e transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Kjo mbetet qasje institucionale e Republikës së Kosovës: zgjedhje të lira, të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe të vëzhguara sa më gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Zyra e Presidentes mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të të gjitha organizatave të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve. Republika e Kosovës ka interes të plotë që procesi i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?