Presidenca për djegien e veturave në veri: Serbia po përpiqet të krijojë klimë frike para zgjedhjeve të 23 prillit

Djegia e veturave në Veri, Szunyog: I mjerueshëm qëllimi i frikësimit të popullatës lokale atje

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka dënuar djegien e veturave me targa RKS në veri të vendit.

Ai ka thënë se shkatërrimi i pronës private me qëllim të frikësimit, është i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë.

“Dënojmë ashpër djegien e automjeteve të ri-regjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur në dy ditët e fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm dhe i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë aktorët përkatës”, ka shkruar ambasadori i BE-së në Twitter.

​Haradinaj: Incidentet në veri tregues se mund të ketë skenar të pengimit të zgjedhjeve

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, “me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë”.

Tutje, Haradinaj ka thënë se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Haradinaj ka theksuar se Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

“Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme. Njëkohësisht, kërkoj nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre, si bazë e fortë e rivendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës. Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat. Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme. Paqja në Kosovë është e paalternativë dhe inkurajoj të gjitha palët që të jenë të pakompromis në vendosmërinë e tyre për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen edhe sigurinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Presidenca për djegien e veturave në veri: Serbia po përpiqet të krijojë klimë frike para zgjedhjeve të 23 prillit

Për djegien e tri veturave me targa RKS në veri të Kosovës kanë reaguar edhe nga Presidenca e Kosovës.
Blerimm Vela, shef i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia po përpiqet të krijojë klimë frike para zgjedhjeve të 23 prillit.

“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës ! Mbrëmë janë djegur edhe 3 makina të tjera vetëm se kishin targa RKS.. Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike për të prishur jetën normale dhe zgjedhjet e 23 prillit.”, shkroi Vela në Twitter.

Digjen tri vetura me targa RKS në veri

Edhe tri vetura të regjistruara me targa RKS, që iu përkasin personave të nacionalitetit serb janë djegur me 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit, njofton policia.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se veturat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri.

“Pas dy veturave të djegura me datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS).Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.”, thuhet në komunikatën e policisë.

Po ashtu bëhet e ditur se lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet ‘zjarrvënie’ për procedura të mëtejme hetimore./21Media

Back to top button