Presidenti Ademi e viziton Selatin Vokrrin, e nderoi me mirënjohje

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në shoqëri të anëtarëve të KE e të FFK-së,  me rastin e 6-vjetorit të anëtarësimti të Kosovës në UEFA, e kanë vizituar sot në shtëpinë e tij ish-futbollistin dhe trajnerin e mirënjohur Selatin Vokrri, i cili së fundmi ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Kreu i FFK-së i shprehu mirënjohjen Vokrrit për kontributin e tij gjatë periudhave të ndryshme në futbollin e Kosovës, qysh nga koha e tij si futbollist e deri në periudhën e zhvillimit të futbollit të pavarur, e që në fund rezultoi me realizimin e objektivit për anëtarësim në UEFA.
I pari i FFK-së theksoi se personalitetet e tilla kanë kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e futbollit, veçmas në kohën e okupimit.
Në anën tjetër, Selatin Vokrri e vlerësoi përkushtimin e kreut të FFK-së për punë dhe për respektin që u bënë gjeneratave që kanë kontribuar në periudha të ndryshme për mbajtjen gjallë të futbollit të Kosovës, edhe atëherë kur nuk kishte as kushte elementare për lojë.
Gjatë kësaj vizite u revokuan edhe kujtime të futbollit që nga periudha kur Selatin Vokrri ishte futbollist e deri më sot, derisa në fund presidenti Ademi në emër të FFK-së e nderoi atë me mirënjohje dhe me një dhuratë për këtë datë të shënuar, si dhe i dëshiroi shëndet të mirë në vazhdim./21Media

Back to top button