Presidenti dorë për dorë me Ëmblën shkon në shkollë

Së pari ishte në shtëpinë e Ëmblës në bisedë të shkurtë me prindërit. E më pas së bashku shkuan në shkollën ku mëson.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vizitoi familjen e Ëmblës së vogël në Gostivar. Në këtë mënyrë, siç thotë, ka dashur që të dëshmojë se në këtë shoqëri të gjithë duhet të jemi të barabartë, jo vetëm në dokumente. Thotë se porosia që dëshiron ta dërgojë është ngritja e vetëdijes sa ka persona që kanë nevoja të veçanta.
“Në këtë shoqëri të gjithë jemi të barabartë. Duhet të ndihmojmë që të gjithë të ndihemi dhe të jemi të barabartë, jo vetëm në letër kjo të jetë kështu. Ne jemi të barabartë në letër, por ndonjëherë në jetën nuk shkon kështu. Po vij që ta jap përkrahjen time atje ku mundem, nga kjo pozitë ku jam, që ta ngrisim vetëdijen, të kuptojmë se ka njerëz të cilët kanë nevoja të veçanta”.
Babai i Ëmblës u mundua që të falënderojë Pendarovskin për vizitën…
“Nuk ka nevojë të më falënderosh. Ky është obligimi im, ky duhet të jetë obligimi i të gjithëve, jo vetëm i presidentëve, kryeministrave, ministrave… duhet të jetë obligim i çdo qytetari”.
Para disa ditëve është ngritur edhe peticion për shkarkimin e drejtorit të shkollës ku mëson Ëmbla, për shkak se e ka pranuar peticionin e prindërve të nxënësve të tjerë.
Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari sot takoi drejtorin dhe të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve kanë mësuar në një klasë me Ëmblën, ndërsa ka takuar edhe psikologun e shkollës.
“Mirë është të dihen se dhe prej kategorizimit të cilin e kemi për Ëmblën, nuk është vetëm për Syndrome Down, fatkeqësisht, te Ëmbla regjistrohen edhe simptoma të autizmit dhe atë autizëm shumë i shprehur, me agresivitet në momente”.
Por prindi i babai i Ëmblës nuk pajtohet me atë që thotë Taravari.
“Nuk është e vërtetë, ne kemi këtu rezultatin laboratorik akademisë së shkencave që besoj se është institucion relevant të tregon se në çfarë gjendje është Ëmbla. Me lindjen e Ëmblës ajo akademia e shkencave rezultati thotë se është me down sindrom por nuk është me autizëm”.
Rasti i Ëmblës së vogël tronditi gjithë opinionin e vendit. Kritikat për sjelljen ndaj saj ishin shumë flagrante. Por, parashtrohet pyetja – A dëshmoi edhe ky rast se sistemi nuk funksionon, dhe se a reagohet çdoherë pasi bëhet dëmi!?./TV21

Back to top button