Presidentit i rritet pasuria për rreth 40 mijë euro

Agjencioni Anti-Korrupsion ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publik për vitin 2017

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar pasuri të luajtshme dhe paluajtshme në vlerë prej 641 mijë e 611 euro. Kreu i shtetit ka rritje të të hyrave, prej rreth 39 mijë euro në këtë vit, se sa në vitin e kaluar.

Në vitin 2016, presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, ka deklaruar në total pasuri të luajtshme dhe paluajtshme në vlerë prej 602 mijë e 738 euro.

Sipas deklarimit të kreut të shtetit për vitin 2017, ai ka të hyra vjetore si president, në vlerë prej 31 mijë e 956 euro. Thaçi po ashtu ka deklaruar edhe mëditje nga presidenca në vlerë prej 8 mijë e 782 euro.

Thaçi ka deklaruar edhe pagën që merr bashkëshortja e tij, Lumnije Thaçi, si ligjëruese në kolegjin Fama. Sipas deklarimit, ajo merr 18 mijë euro pagë vjetore nga ky institucion.

Ndërsa, para të gatshme në institucionet bankare, kreu i shtetit ka deklaruar se ka 307 mijë e 873 euro.

Sipas këtij deklarimi, ai në llogarinë e tij bankare në NLB Prishtina ka para të gatshme 16 mijë e 373 euro. Ndërsa, në llogarinë e bashkëshortes së tij në Raiffaisen Bank, ka deklaruar para të gatshme prej 1 mijë e 500 euro.

Shumën me të madhe të parave të gatshme e ke deklaruar nga shitja e shtëpisë së tij në Prishtinë. Nga kjo shitje, ai ka deklaruar se në Bankën Ekonomike ka para të gatshme 290 mijë euro.

Po ashtu, i pari i vendit ka deklaruar edhe pasur të paluajtshme. Ai ka deklaruar se ka 7 hektar tokë bujqësore trashëgimi nga familja në vlerë prej 180 mijë euro, e cila është e përbashkët.

Po ashtu Thaçi ka deklaruar edhe një shtëpi prej 250 metra katror, po ashtu trashëgimi nga familja, në vlerë prej  80 mijë euro, e cila është e përbashkët.

Thaçi ka deklaruar edhe një veturë të tipit Audi nga kursimet e vitit 2016, në vlerë prej  15 mijë euro.

Back to top button