Presidentja dekoron Majlinda Kelmendin me çmimin e heroinës ”Shotë Galica”

Me rastin e përfundimit të karrierës së saj të lavdishme, presidentja Vjosa Osmani sot ka dekoruar në një ceremoni shtetërore xhudisten, Majlinda Kelmendi me çmimin e heroinës ”Shotë Galica”.
Me këtë rast, e para e vendit e ka vlerësuar lart xhudisten nga Peja, duke thënë se ajo është simbol i shpirtit luftarak.
“Majlinda është krenaria e vendit tonë. Ajo ka sfiduar sportin e xhudos duke fituar çdo gjë që mund të fitohet. Falë përkushtimit të saj, flamuri i Kosovës valoi në shumë vende të botës. Ajo është shumë më shumë se sa çmimet që i fitoi. Ajo është simbol i kurajës dhe shpirtit luftarak”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se Kelmendi iu përkushtua Kosovës duke refuzuar oferta të shumta nga vendet e ndryshme të botës.
“Majlinda nuk u josh nga ofertat e shteteve të shumta, por i qëndroi besnike shtetit të saj Kosovës. Së bashku me trajnerin Driton Kuka, ajo e bëri një punë të jashtëzakonshme duke prezantuar vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka shtuar tutje Osmani.
Ndryshe, Majlinda Kelmendi tashmë ka nisur punën e saj si trajnere e gjeneratave të reja në xhudo.

Back to top button