Presidentja Osmani për vizitë zyrtare në Zvicër, do të pritet me nderime të larta në Bern

Të mërkurën në orën 14:30, në sheshin qendror të Bernit, i quajtur “Bundeshausplatz” do të mbahet ceremonia e pritjes zyrtare të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se presidentja do të pritet me nderime të larta shtetërore, me praninë e Gardës Ushtarake dhe të gjithë anëtarëve të Këshillit Federal të Zvicrës.
“Pjesëmarrja e qytetarëve është e hapur dhe e mirëseardhur!”, njofton Presidenca.
Kjo është vizita e parë shtetërore e presidentes së Kosovës në Zvicër.Presidenca ka bërë të ditur se në kuadër të vizitës zyrtare presidentja Osmani do të zhvillojë takime me presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Po ashtu, sipas Presidencës, dy presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
“Për nder të presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes të dy shteteve”, thuhet në njoftim.
Përveç këtyre, në ditën e dytë të vizitës, presidentja Osmani dhe presidentja Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një Qendër të Universitetit “Saint Gallen”, që është e përkushtuar për zhvillimin e kulturës së të nxënit dhe të mësimdhënies – fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e të rinjve në Kosovë dhe Zvicër.
Në Gjenevë Osmani pritet ta ketë një takim me mërgatën shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër.
“Vizita shtetërore e presidentes Osmani jo vetëm që ka karakter historik, por edhe simbolik, pasi thekson marrëdhëniet e ngushta, të qëndrueshme dhe shumëdimensionale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës”, shkruan Presidenca.