Presidentja Osmani s’merr pjesë në takimin e shefit të KE-së për shkak të agjendës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një ftesë nga presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, për të marrë pjesë në një takim me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Bruksel më 3 dhjetor 2024.
Megjithatë, për shkak të një agjende të ngjeshur dhe një vizite shtetërore tashmë të konfirmuar në Brunei, Osmani nuk do të mund të marrë pjesë.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar këshilltari për Media i Presidentes Bekim Kupina,
“Më datë 5 nëntor 2024, Presidentja Osmani ka pranuar ftesë nga Presidenti i Këshillit të BE-së, z. Antonio Costa, për të marrë pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor më 3 dhjetor në Bruksel.
Për shkak të agjendës ndërkombëtare të paracaktuar dhe vizitës shtetërore tashmë të konfirmuar në Brunei, ku Presidentja Osmani do të udhëtojë me ftesë të Sulltanit të Bruneit më datë 2-3 dhjetor 2024, kabineti i Presidentes e ka informuar kabinetin e Presidentit Costa për pamundësinë e pjesëmarrjes kësaj radhe. Rrjedhimisht, si rezultat i kësaj, është rënë dakord që ftesa të delegohet tek institucionet e tjera në Kosovë.
Megjithatë, meqë Presidentja Osmani do të përfaqësojë Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 18 dhjetor (ftesë tashmë e dërguar dhe konfirmuar), me qëllim të përgatitjeve dhe koordinimit sa më të mirë, Presidentja është dakorduar me institucionet e BE-së që të vizitojë Brukselin më datë 4 dhjetor (pra do të udhëtojë direkt nga Brunei) ku me Presidentin Costa dhe institucione të tjera të BE-së do të diskutojnë për pritshmëritë nga ky Samit”, ka thënë Kupina për portalin rtv21.tv /21Media