Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të fillojë diskutimet me partitë politike për të përcaktuar datën e zgjedhjeve lokale.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, tha se vetëm pas konsultimit me partitë, do të vendoset edhe data e zgjedhjeve.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, sipas kompetencave të Presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj, para datës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit./21Media