Presidentja Vjosa Osmani nderohet me Çmimin “Dr. Erhard Busek” në Parlamentin Austriak

Dje, në Parlamentin Austriak, gjatë konferencës ndërkombëtare “Kosova në BE”, Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, u nderua me Çmimin “Dr. Erhard Busek” për lidership dhe përkushtim të jashtëzakonshëm në avancimin e lirisë, demokracisë dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.

Veprimtari Niq Krasniqi nga Austria ka njoftuar se konferenca u organizua me mbështetjen e Andreas Minnich, Nënkryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, dhe shënoi 27-vjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë, e cila ndaloi masakrat dhe terrorin e forcave serbe në vitin 1999.

Në fjalimin e ndarjes së çmimit, z. Minnich e vlerësoi Presidenten Osmani si një ndërtuese urash transatlantike, duke theksuar kontributin e saj për Kosovën dhe Evropën. Presidentja Osmani falënderoi organizatorët dhe Parlamentin Austriak, duke përkujtuar rëndësinë e solidaritetit dhe mbështetjes së Austrisë për rrugën eurointegruese të Kosovës.

Krasniqi ka bërë të ditur se konferenca gjithashtu trajtoi çështjet e integrimit të Kosovës në BE, bashkëpunimin ekonomik dhe rolin strategjik të Austrisë si partner i rëndësishëm, duke theksuar kontributin e diasporës kosovare në zhvillimin dhe projekte me standarde evropiane.

 

Back to top button