“Presioni ndërkombëtar mund ta përcaktojë një koalicion më të gjerë qeverisës”

Kush më kë mund të formojë Qeverinë, është pyetja e cila po shtrohet tash 9 ditë pas zgjedhjeve por që ende nuk ka një përgjigje për shkak të procesit të numërimit të votave.
Partitë opozitare të cilat i kanë vënë vija të kuqe Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës nuk dhanë ndonjë përgjigje rreth planeve për ndonjë koalicion mes vete, derisa e para e këtyre zgjedhjeve LVV-ja ka thënë se për formimin e Qeverisë do të bashkëpunojë vetëm me pakicat joserbe.

Në situatën aktuale, analistja politike, Arta Tahiri, shtron nevojën për një koalicion më të gjerë qeverisës i cili sipas saj mund të formohet me një presion të shtuar të faktorit ndërkombëtarë.

“Qeveria stabile s’krijohet asnjëherë me partinë parë me minoritete e po ashtu me bashkimin e gjithë opozitës së bashku. Një qeveri e suksesshëm apo stabile siç po quhet nga faktori  ndërkombëtar mund të realizohet vetëm atëherë kur janë 81 vota të deputeteve që janë pjesë e kuvendit të mazhorancës… Nëse faktori ndërkombëtar do të ndërhyje do të shohim deklarimet e deritashme opozitare se nuk bëjmë koalicion dhe pastaj  do jenë pjesë e marrëveshjes koalicionit jep sinjal që faktori, ShBA-ja dhe BE-ja  ka kërkuar nga partie opozitare të largojnë vijat e kuqe dhe në të mirë të stabiliteti të shteti të krijojë një koalicion stabil dhe kërkon vazhdimësinë e procese jetike për ksn..në rrugën drejt integrimit evropian, tha Tahiri për rtv21

Në Institutin  e Kosovës për Drejtësi ndërkaq thonë se institucionet do duhej të formoheshin mbi vullnetin e partive politike  e jo me ndonjë presion ndërkombëtar.

Sipas Naim Jakajt nga ky institut, partitë politike duhet t’i lënë anash dallimet e tyre dhe të bashkohen për formomini e institucioneve sa më parë.

“Sipas rezultateve aktuale, anjë nga partitë s’mund ta formojnë qeverinë, duhet një koalicion. S’do ishte zgjidhje e mire që fatin e Kosovës dhe qytetarëve ta përcaktojë një presion ndërkombëtarë…..Partitë duhet që me vullnet politik t’i formojnë institucionet, t’i lënë anash dallimet”, tha Jakaj.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje ditë më parë thanë për RTv21 se në rast se nuk do të mund ta bëjnë Qeverinë vetëm me pakicat joserbe atëherë do të kalonin  në opozitë por kurrsesi të hynë në koalicion me opozitën./RTV21/21Media

Back to top button