Prezantohet koncepti për Muzeun e Artit Bashkëkohor

Një vend që prodhon kaq shumë art dhe që vazhdimisht prek majat e sukseseve ndërkombëtare, duhet të ketë edhe muzeun e vet të artit bashkëkohor. Kështu u tha me rastin e prezantimit të konceptit për Muzeun e Artit Bashkëkohor të Kosovës (MABK).
Në këtë prezantim ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Hajrulla Çeku tha se mungesa e një institucioni të tillë në Kosovë është shumë e madhe, në një vend që prodhon kaq shumë art dhe që vazhdimisht prek majat e suksesit me artistët e tij, andaj Kosova duhet të ketë muzeun e tij të artit bashkëkohor.
Ai tha se Ministria e Kulturës do të ofrojë të gjitha kushtet dhe mjetet për të zbatuar në realitet propozimin e krijuar nga këshilli iniciues.
“Ka qenë e qartë për shumë vite që mungesa e një institucioni të tillë në Kosovë është shumë e madhe, një vend që prodhon kaq shumë art dhe që vazhdimisht prek majat e sukseseve ndërkombëtare me artistët e tij, duhet të ketë edhe muzeun e vet të artit bashkëkohor. Mënyra më e përshtatshme për të nisur dhe ndërtuar atë ishte që të vinte nga vetë komuniteti… Me këtë propozim që është prezantuar sot, do të paraqiten pjesët integrale të muzeut siç janë propozimi dhe oda programore, koncepti i koleksionit, koncepti arkitektonik dhe i lokacionit dhe drafti i statutit … Çfarë i mbetet Ministrisë së Kulturës është që të ofrojë të gjitha kushtet dhe mjetet për të zbatuar në realitet, propozimin e krijuar nga këshilli iniciues. Momentumi që Kosova ka në art bashkëkohor duhet të përcillet edhe me veprime”, tha Çeku.
Gjithashtu ai theksoi se projektligji gjendet në Kuvend dhe pritet që të votohet për lexim të parë nesër.
Ndërkaq kryesuesi i Këshillit iniciues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor (MAKB) Yll Rugova, theksoi se MAKB do të merr mbi supe koleksionimin dhe ekspozimin e artit bashkëkohor, por gjithsesi do të shërbejë si projekt flamurtar në fushën e trashëgimisë kulturore.
Ai theksoi se ndërtesa e “Rilindjes” ka qenë për dekada shtylla qendrore e prodhimtarisë kulturore në vend që domosdo duhet ruajtur e dokumentuar.
“Më 8 qershor 2023 është dorëzuar propozimi final te ministri Hajrulla Çeku. Ndërtesa ka qenë në epiqendër dhe kjo ndërtesë është ndërtesa e “Rilindjes”. Ajo është një ndërtesë, që është një trashëgimi e rëndësishme e historisë së Kosovës … është simbol i domosdoshëm për nisjen e një iniciative ambicioze e kombëtare për art. “Rilindja” ka qenë për disa dekada shtylla qendrore e prodhimtarisë kulturore në vend që domosdo duhet ruajtur e dokumentuar… në një ndërtesë si aneksi i “Rilindjes”, MAKB do të merr mbi supe jo vetëm koleksionimin dhe ekspozimin e artit bashkëkohor, por gjithsesi do të shërbejë si projekt flamurtar në fushën e trashëgimisë kulturore, duke shërbyer si një bërthamë qendrore … “Rilindja” na shfaqet si një shtyllë qendrore, në konceptin që po ndërtohet për muzeun … Koleksioni do të ketë për bazë dy shtylla, koleksionimin si përmirësim të rrëfimeve dhe koleksionimin si avancim të diversitetit e gjithëpërfshirjes ,” theksoi Rugova.
Ndryshe, ky prezantim është bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshilli Iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor. MAKB pritet të jetë plotësisht operacional në fillim të vitit 2028 dhe ai pritet të jetë një platformë kulturore duke ofruar hapësirë për shprehje artistike, reflektim dhe dialog./kp