Kaloni te përmbajtja kryesore

Prindërit kërkojnë pushim pranveror për nxënësit: Po shkelen të drejtat e fëmijëve

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar pushim pranveror për nxnësit në këtë vit shkollor.
Ata konsiderojnë se me heqjen e pushimit pranveror, fëmijëve po u shkelen të drejtat.

“1. Si Këshill i Prindërve kemi pranuar shumë kërkesa e ankesa të prindërve për heqjen e të së drejtës së fëmijëve tanë për pushim pranveror. Këtë shqetësim e kemi shprehur qysh në shtatorin e vitit 2022, gjatë grevës, kur kemi kërkuar që mos t’iu hiqen e mos t’iu mohohen të drejtat fëmijëve tanë për pushim në fundjavë, në dimër e në pranverë.

2. Por Ministria e Arsimit e kishte publikuar kalendarin e korrigjuar mësimor për këtë vit shkollor menjëherë pas ndaljes së grevës, ku pa përfillur kërkesat e prindërve, dhe duke shkelur të drejtat e fëmijëve nxënës në sektorin publik, ua ka mohuar fëmijëve të drejtën për pushim. Kjo nuk mbajmë mend të ketë ndodhur pas luftës në Kosovë.

Prindërit po ashtu kanë pasur kritika edhe për udhëheqësit e vendit, për shkak të mosreagimit të tyre për siç thonë ata këtë shkelje të të drejtave të fëmijëve që garantohet me Kushtetutë.

“3. Më shumë sesa të shqetësuar e të mllefosur që na shkelën të drejtat e fëmijëve shpesh, përsëritur e krejtësisht hapur (pa asnjë pasojë për shkelësit); e që anshkalohemi si Këshill për shkak të qëndrimeve parimore e të drejta, është heshtja e çuditshme e krejt institucioneve të vendit dhe palëve të tjera për këto shkelje të rëndë të drejtash. Të krijohet përshtypja sikur ky vend nuk ka President, nuk ka Kryeministër, nuk ka Kuvend, nuk ka prokurori e gjykata, nuk ka Avokat të Popullit, nuk ka Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave, nuk ka akademi, nuk ka kryetarë komunash e drejtori komunale të arsimit, nuk ka opinionistë, nuk ka përfaqësi ndërkombëtare (që deklarohen edhe për çështje krejt minore), nuk ka organizata që mbrojnë të drejtat e fëmijëve. Jemi vetëm ne e fëmijët tanë.
4. Një shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve (të mbrojtura me konventa ndërkombëtare e me kushtetutë të Kosovës) por ripërsëritet e askujt, veç nesh, duket se nuk i bën përshtypje.
5. Si Këshill i kemi dërguar Ministres së Arsimit, znj. Nagavci, kërkesë ta rishqyrtojë atë vendim e t’iu kthehet e drejta e fëmijëve tanë. Po presim përgjigje.
Ne vazhdojmë t’ua themi, atyre që kanë arsye e përgjegjësi: FËMIJËT KANË TË DREJTA! STOP SHKELJES!”, përfundon reagimi i Këshillit të Prindërve./21Media

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button