Prindërit kundër zhvillimit të mësimit të shtunave

Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur kundër zhvillimit të mësimit të shtunave për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës.
Prindërit përmes një njoftimi në rrjetet sociale njoftojnë se shumica prej tyre janë deklaruar me revoltë se as nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë.
“Këshilli i Prindërve vlerëson se prindërit kanë plotësisht të drejtë të reagojnë në këtë mënyrë, për çka edhe kemi paralajmëruar qysh në fillim të grevës. Mësimi të shtunave jo vetëm që nuk i shërben kompensimit të orëve, por ashtu e dëmton edhe procesin mësimor për ditët e tjera të javës, për shkak të lodhjes dhe mërzitjes së fëmijëve. Këtu duhet shtuar edhe faktin shumë të rëndësishëm që me dhjetëra mijëra fëmijë në gjithë Kosovën gjatë fundjavave marrin pjesë në aktivitete e gara të ndryshme sportive e të artit, për çka Ministria e Arsimit, por edhe ajo e Kulturës dhe Sportit, duhet të kishin pasur konsideratë të veçantë.”, thuhet në reagimin e prindërve.
Po ashtu prindërit propozojnë që kompensimi i orëve të humbura të delegohet në nivel të shkollave.
“Meqë shumica e shkollave në Kosovë nuk e kanë problemin e mbingarkesës me nxënës (pra punojnë me një ndërrim), dhe kompensimi mund të ishte bërë gjatë ditëve të javës. Këshillat drejtues të shkollave do të duhej ta informonin Ministrinë e Arsimit (me qëllim mbikëqyrjeje) për planin e kompensimit (sikurse ka ndodhur me Task Forcat gjatë pandemisë për dy vjet e gjysmë).”, thonë prindërit.
Prindërit shprehen se as ata e as fëmijët nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, “prandaj as nuk kanë përse të mbajnë barrë shtesë e të privohen nga jeta jashtëshkollore për t’i kompensuar ato.”
“Është shumë e padrejtë dhe e papranueshme që fëmijëve tanë, pasi iu mohua e drejta kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim, t’iu mohohet tani edhe e drejta për pushim, e mbi këtë edhe e drejta për aktivitete jashtëshkollore. Fëmijët kanë të drejta dhe prindërit obligohemi t’i mbrojmë!”, përfundon reagimi i prindërve.
Ministria e Arsimit ka nxjerrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e Kalendarit të vitit shkollor 2022-2022.Me këtë vendim do të ndryshohet Kalendari i vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022, si pasojë e grevës së mësimdhënësve. Tetë ( 8 ) ditë të mësimit të pambajtura për parafillore dhe klasat (1-8) sipas UA-05/2022 për Kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune, si në vijim: Në muajin Tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022;Në muajin Nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;Në muajin Dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;Në muajin Janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023./21Media

Back to top button