“Prishtina 2030”, MKRS e KOK nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi në vlerë prej mbi 2.6 milionë eurosh për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani tha se tashmë është gjetur një zgjidhje drejtë organizimit të Lojërave Mesdhetare, meqenëse ligji për këto lojëra ndodhet ende për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas saj, kjo strukturë organizative në kuadër të Komitetit Olimpik do të jetë në fuqi deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“Kemi trajtuar sfidën e krijuar me dërgimin e ligjit për Lojërat Mesdhetare në Gjykatën Kushtetuese me të cilin jemi bllokuar që nga fundi i vitit të kaluar, fatkeqësisht ky ligj vazhdon të jetë edhe sot në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese. Kjo situatë ligjore ka ndikuar në ngadalësimin e procesit të organizimit në fokus në realizimin e themelimit të Komitetit organizativ të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, fal bashkëpunimit të ngushtë me ICMG kemi arritur të gjemë rrugë alternative para duke respektuar komplet kornizën ligjore ekzistuese… Në përputhje me kornizën ligjore dhe zotimet që i kemi dhënë përmes kontratës dhe librin e kandidaturës të cilin e kemi fituar të drejtën e organizimit jemi dakorduar që në kuadër të Komitetit Olimpik si organizatë kyçe sportive shtyllë sportive në vend të themelohet një strukturë tranzitore apo e përkohshme e komitetit organizativ të Lojërave Mesdhetare e cila do të ketë përgjegjësinë e plotë për zbatimin e pjesës operacionale drejtë organizimit të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’”, tha ajo.
Duke shprehur përkushtimin e Qeverisës ë Kosovës për këtë projekt, Osmani tregoi se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta mbështet KOK-un për këtë vit me mbi 2.6 milionë euro për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“Si qeveri me përkushtim të plotë vazhdojmë të mbështesim në tërësi projektin më të madh që e ka pas Kosova, ky është angazhim strategjik në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm në avancimin e mirëqenies së qytetarëve tanë. Po e nënshkruajmë memorandumin e radhës në mes të MKRS-së dhe Komitetit Olimpik të Kosovës për financimin e organizimit operacional të lojërave në vlerë prej mbi 2.6 milionë euro për këtë vit”, theksoi Osmani.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi njoftoi se ky komitet organizativ do të takohet javën e ardhshme për herë të parë.
“Ky financim kupton edhe formimin e komitetit organizativ të Lojërave Mesdhetare ku udhëheq KOK së bashku me partnerët qeverinë e Kosovës, MKRS-në dhe komunën e Prishtinë. Ky komitet organizativ në javën e ardhshme do të ketë edhe takimin e parë të bordit të këtij komitetit organizativ ku do të bisedojë rreth organizimeve të ardhme që të jemi sa më shpejt dhe më konkret me organizimin e Lojërave Mesdhetare, besoj se do t’ia dalim me një energji pozitive”, tha Krasniqi./kp