Prishtina e gatshme për marrëveshje me “Pastrimin”, Brestovci: Qysh sot mund ta nënshkruajmë kontratën 1.5 milion euro

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, pas takimit me përfaqësuesit e Sindikatës së Ndërmarrjes “Pastrimi”, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës është e gatshme që nga dita e sotme për nënshkrimin e një kontrate në vlerë prej 1.5 milionë euro për punë shtesë.

Ai theksoi se nëse krijohen kushtet, “Pastrimi” do të marrë përsipër 1/3 e regjionit të Prishtinës, duke e shtuar kapacitetin operativ krahas dy operatorëve ekzistues.

Brestovci shtoi se Komuna është e gatshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar subvencionimin e pagave për punëtorët.

“Shprehëm gatishmërinë tonë që qysh sot me një person të autorizuar në ndërmarrjen ‘Pastrimi’, ta nënshkruajmë kontratën prej 1.5 milionë euro për punët shtesë. Ne u dakorduam që, nëse krijohen kushtet nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, që ata të kenë mundësi të dalin e të operojnë për të kryer shërbimin, ta kenë 1/3 e regjionit të Prishtinës, sepse tani veç i kemi të kontraktuar dy operatorë ekonomikë. Nga ana jonë nuk ekziston asnjë hezitim. Ne shprehëm gatishmërinë që të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për ta sjellë sërish vendimin për subvencionimin e pagave për punëtorët. Natyrisht, mbetet të punojmë bashkërisht që ta kemi shumicën në asamble që të votohet ky vendim sepse nuk është në dorën tonë pastaj.”, ka thënë Brestovci.

Back to top button