Prishtina, Fushë Kosova e Ferizaj me rritje të numrit të popullsisë

Rreth 1.6 milion banorë të Kosovës besohet se kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Sipas të dhënave, në disa komuna kishte rritje të numrit të popullsisë, e në të tjera zvogëlim. Ilir Berisha nga Departamenti i Statistikave Ekonomike thotë se këto rritje dhe rënie në komuna ndodhën si shkak i lëvizjeve brenda qyteteve si dhe jashtë vendit.
Ndryshe nga regjistrimi paraprak i popullsisë , këtë vit, diaspora e ka pasur mundësinë të regjistrohej online përmes eKosova. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave deri më tani besohet se do të jenë rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës, të cilët nuk janë përfshirë në shifrën prej 1.6 milion banorëve që jetojnë në Kosovë.
Në procesin e mëparshëm të regjistrimit të popullsisë, të mbajtur në vitin 2011, morën pjesë rreth 1 milion e 74O mijë banorë. Kjo do të thotë se popullsia në Kosovë besohet të ketë rënë për rreth tetë për qind. Demografi Sami Behrami për RTV21 thotë se kjo tkurrje e popullsisë ka qenë e pritshme si pasojë e shkallës së vdekshmërisë dhe migrimit.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 euro deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i ardhshëm do të mbahet në vitin 2031./RTV21/21Media