Prishtina hyn në kredi për autobusë elektrikë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot nënshkroi Marrëveshjen për Kredi prej 10 milionë eurosh me BERZh, në selinë e tyre në Londër, e cila do t’i jepet Trafiku Urban, kompanisë komunale të transportit publik në Prishtinë.
Sipas njoftimit nga Komuna e Prishtinës, kjo kredi do të përdoret për blerjen e 30 autobusëve, gjashtë prej të cilëve janë autobusë elektrik me bateri dhe njëzet e katër të modelit EURO VI, së bashku me infrastrukturën për karikimin e tyre.
Autobusët Euro-VI janë autobusë të rinj me naftë në përputhje me standardin e emetimeve Euro-VI, i cili kufizon emetimet që ata prodhojnë.
Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje tha se inkorporimi i autobusëve të parë elektrik në qytet dhe në vend është një moment kyç drejt tranzicionit të gjelbër.
“Kjo do të ketë një ndikim të prekshëm në jetën e qytetarëve tanë dhe do të ndërmarrë hapa kuptimplotë drejt një Prishtine më të shëndetshme dhe më të pastër.Jemi shumë krenarë që vazhdojmë një bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë BERZh.” , citohet të ketë thënë Rama./21Media

Back to top button