Prishtina themelon Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca

Komuna e Prishtinës ka themeluar Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave e cila do të udhëhiqet nga Lulzim Fushtica.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se kjo drejtori ka qenë e nevojshme të formohet pasi në këtë mënyrë fillojnë përgatitjet edhe për formimin e policisë së kryeqytetit.
“Disa nga përgjegjësitë e drejtorisë janë: drejtoria përgatitet për themelimin e policisë se kryeqytetit në harmoni me ligjin për kryeqytetin, përkujdeset për aspektin e sigurisë në aspektin rural dhe urban të kryeqytetit, identifikimin dhe ofrimin e sigurisë si dhe koordinim në aspektin lokal, themelon njësi të veçanta bazuar në nevojat e kryeqytetit, koordinimin me agjencinë për menaxhimin e emergjencave, e kështu me radhë”, tha Rama.
Për drejtorin, Rama tha se ka përvojë 25 vjeçare në sektorin e sigurisë publike.
“Ka qenë drejtori i parë i Akademisë për Siguri Publike nga 2005-2010. Ka punuar për 10 vjet për departamentin e drejtësisë në SHBA. Është një profesionit në aspektin e sigurisë dhe emergjencave”, tha Rama./21Media