Prishtinë-Podujevë rruga e premtuar ndër vite, viti 2025, vit përmbylles për punimet në këtë rrugë

Ndonëse, projekti për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, kishte filluar në vitin 2016, në Qeverinë e ish-kryeministrit Isa Mustafa, ansjë nga qeveritë, përfshirë edhe këtë të fundit nuk arriti ta përfundojë.
“Jemi bashkë me Bulliqin që ta konstatojmë një zvarritje dhe zhagitje e cila përveç që e dëmshme është edhe e paarsyeshme. Prandaj, teksa sektori dy do të përfundojë deri në fund të vitit 2021, në vitin 2022 ne zotohemi që do t’i përmbyllim komplet punimet dhe gjithçka çka është e nevojshme, në mënyrë që kjo rrugë e cila lidh Llapin me Kryeqytetin të jetë e përfunduar dhe asisoj njerëzit të mos i kenë këto vështirësi me këtë trafik kaq të dendur, i cili duket si në qendër të Prishtinës e jo këtu ku ndodhemi ne”, tha Kurti.
E premtimi i fundit për këtë rrugë u dha në përfundim të mandatit qeverisës, ku Kurti tha se rruga Prishtinë-Podujevë përfundon në pranverën e këtij viti.
“Rruga Podujevë – Prishtinë përfundon në pranverën 2025. Kësaj pritjeje të gjatë po i vjen fundi sepse Qeveria jonë e mirë ka punuar edhe me problemet në mangësitë në shpronësime edhe me projektimet e këqija. Rruga kryhet përgjithmonë në pranverën e sivjetshme”, tha tutje Kurti.
Por, për gati një dekadë, kjo rrugë më shumë u mbush me premtime sesa punime, nga të cilët qytetarët ndihen të lodhur.
Disa deklarata nga qytetarët për RTV21
“…po na pengojnë, se shkolla këtu afër po duhet na prindërit me i pru fëmijët. Nuk po guxojmë më i lanë këtu…”
“…nuk është mirë kështu me lanë. Këtu pe kanë vështirë kerret me qarkullu edhe të tjerët po parkohen vend e pa vend…”
“…Cdo punë që zvarritet i krijon vështirësi popullatës. Në pushim verës ka qenë katastrof prej pluhurit, trotuaret pa rregullu. Sa kom ndëgju premtimet kanë qenë më përfundu para vitit të ri, e tash mas pranvere, eh nashta përfundon kah viti i ri…”
“…vështirësitë që po ndodhin me këtë rrugë na kanë qu me një gjendje që vec po presi cka po presim të bahet cka të bahet, pa pasë forcë më kërku ndryshim. Te na në Kosovë vec po thojnë po, po e kur bahet spo thotë kërkush. Për gjithcka, kolonë, automjete, probleme për këmbësor, fëmijë, gjithçka…”
Por viti 2025 do të jetë përmbyllës për punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë, për RTV21 deklaroi Qamil Feka, u.d i drejtorit në Departamentin e Menaxhimit të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës.
“..aktualisht rruga Prishtinë-Podujevë jemi në fazën që zhvillohen aktivitete bazuar në kushtet atmosferike. Faza në ndërtim është duke pushuar si shkak i të reshurave, kështu që deri në mars nuk bahen disa punë në ndërtimin e rrugëve. Jemi në fazën e eleminimit të disa pengesave të cilat na janë paraqitë kohëve të fundit si dhe përgatitjeve për një fillim me një dinamik të shtuar. Zotimet janë se këtë vit rruga Prishtinë-Podujevë duhet të përfundoi. Që nga marsi e tutje do të flasim për afate të sakta kohore se kur cila pjesë cili segment, kur përfundon. Por ky vit është vit përmbyllës i përfundimit të kësaj rruge…”, tha ai.
Gjatë Qeverisë Kurti, tenderi për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë është hapur më 06 janar 2023. Ky tender ishte ndarë në 5 llote dhe vlera totale e Kontratave ishte rreth 35 milionë euro. Pesë kontratat për pesë llotet./RTV21/21Media