Pritjet nga takimi i Ohrit ishin temë diskutimi e Kurti me Escobarin

(Lajmi përditësuar)

Takimi i nesërm në Ohër ishte temë diskutimi mes kryueministrit të Kosvës, Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kështu u bë e ditur në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit.

“U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim. Ai falënderoi z. Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog.”, thuhet në njoftim.

“Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë.”, thuhet më tej në njoftim.

11:32- Konjufca deklarohet pas takimit me Esobarin

Zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesi i dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ishin tema te diskutimit mes Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ky i fundit përmes një postimi në Facebook njoftoi se Escobarit i ritheksoi se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. “, shkroi Konjufca.

Ai po ashtu bëri të ditur se Escobar e falëndëroi për për angazhimin dhe rolin e “pazëvendësueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut dhe shpreha gatishmërinë për fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit të ndërsjellë, si dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

11:32- Nis takimi Kurti-Escobar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka nis takimin me Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Escobar ka takuar sot edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën.

Kurse, mbrëmë ka takuar përfaqësuesit e partive opozitare.

10:40- Pas Osmanit, Escobari takon Konjufcën

Ka filluar takimi mes kryeparlamentarit Glauk Konjufcës dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç është bërë e ditur pas takimit nuk do të ketë deklarim për media.

Escobar pritet të takohet edhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin.

10:30- Escobar optimist për zgjidhje në takimin e Ohrit, Osmani pret rezultate

Presidentja Vjosa Osmani, tha se Kosova shkon në Ohër me shpresë për rezultate pozitive.

Ajo në konferencë për media, pas takimit me emisarin e ShBA-së, Gabriel Escobar, deklaroi se duhet të arrihet një marrëveshje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë, ku trajtohen si dy shtete të barabarta.

Megjithatë, ajo tha se Serbia nuk duhet të bëjë obstrukcione.

Emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escboar, është shprehur optimist për një zgjidhje pozitive për takimin e nesërm në Ohër.

“I mirëpres takimet shumë produktive në Ohër bashkë me Kurtin dhe Vuçiq. Ne kemi për qëllim që të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë e pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euroatlantik dhe ne mendojmë se ky propozim evropian i lehtësuar nga BE-ja mundëson një shansë të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dyja vendeve. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë, por jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin që të zhbllokohet disa prej burimeve më të mira që Ballkani ia ofron vetes dhe të tjerëve. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam optimist, shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore dhe shpresoj se pas së shtunës do të kemi lajme të mira”, është shprehur Escobar.

09: 10- Ecobar takohet me Osmanin

Ka nisur takimi i të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, Garbiel Escobar me presidenten e vendit,  Vjosa Osmani.

Siç është bërë e ditur, takimi do të pasohet me një konferencë për media.

08: 22- Ecobar në Kosovë, zhvillon takime me krerët e shtetit

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të pritet nga krerët e shtetit në Kosovë.

Fillimisht ai në orën 9:00 do të pritet nga Presidentja Vjosa Osmani

“Në orën 10:00, pas takimit, Presidentja Osmani dhe zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar, deklarohen për media”, thuhet në njoftim nga Presidenca.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nesër pritet të takohet me të dërguarin Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ky takim pritet të zhvillohet me fillim nga ora 10:20.

Escobar do të pritet edhe nga kryeministri, Albin Kurti i cili pritet të fillojë në ora 11:00.

Vizita e Escobarit në Kosovë vjen dy ditë përpara takimit të 18 marsit në Ohër, ku kryeministri i vendit, Albin Kurti, do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Temë kryesore e takimit të Ohrit do të jetë aneksi i Planit Evropian./21Media

Back to top button