Pritshmëritë e regjisores Norika Sefa për nominim në Oscars 2023

Filmi “Në kërkim të Venerës” me skenar dhe regji nga Norika Sefa, është përzgjedhur nga komiteti selektues si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të Oscars për vitin 2023.
Në intervistën për emisionin “Për ditë të mbarë” të RTV21, regjisorja Norika Sefa ka folur për pritshmëritë që ka që filmi të nominohet në Oscars.
“Unë normal që kam qejf,  për shkak se kjo i sjell gjithë ekipës një diçka shumë të bukur, por ne asnjëherë nuk e kemi fol Oscars, për ne ka ardh si një surprizë shumë e madhe. Pse jo të themi nëse vetëm seleksionohemi do të ishe shumë e bukur, pasi është një film krejt ndryshe, ndoshta edhe për Oscar është diçka interesant”, ka thënë ajo.

Filmi përcjellë adoleshenten e qetë Venerën (luajtur nga Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza jetojnë së bashku në një shtëpi të vogël, ajo nuk ka aspak privatësi.
Me producent Besnik Krapin, drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazher Stefan Stabenow, skenograf Arben Shalën, zërin nga Risto Alchinov, kostumografe Desantila Lika, grimere Lidona Berisha. Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj.
“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Kaçanikut./21Media

Back to top button