Kaloni te përmbajtja kryesore

Pritshmëritë për sesionin vjeshtor të Kuvendit

Në prag të nisjes së sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, thotë se si shumicë parlamentare synojnë që me ritëm edhe më të shtuar në muajt e mbetur të këtij mandati ta çojnë përpara zbatimin e agjendës legjislative. Ndërkohë opozita dhe monitorues të Kuvendit nuk presin ndonjë efikasitet të punës së Kuvendit në sesionin vjeshtor marrë parasysh siç thonë angazhimin deputetëve për zgjedhjet parlamentare.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës së shpejti pritet t’i rikthehen punës për sesionin vjeshtor të Kuvendit. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thotë se me të filluar puna në shtator do të bëjnë çmos për të shtyrë përpara agjendën e projektligjeve që lehtësojnë jetën e qytetarëve.

“Agjenda legjislative e Kuvendit të Kosovës që përfshin projektligje të sponsorizuara edhe nga Qeveria e Kosovës është e qartë. Ne si shumicë parlamentare synojmë që me ritëm edhe më të shtuar në muajt e mbetur të këtij mandati ta çojmë përpara zbatimin e kësaj agjende. Me të filluar në shtator do të kemi përpara një set të rëndësishëm ligjesh dhe njëjtë sikur në më shumë se tri vitet e fundit do të bëjmë çmos që projektligjet që lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë të miratohen dhe zbatohen”, tha Gazmend Gjyshinca nga Vetëvendosje.

Opozita dhe monitorues të Kuvendit ndërkaq nuk presin ndonjë efikasitet të punës së Kuvendit në sesionin vjeshtor, marrë parasysh siç thonë angazhimin e deputetëve për zgjedhjet parlamentare.

Zëvëndëskryesuesi i Komisionit parlamentar të Legjislacionit nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj thotë se edhe në sesionin vjeshtor shumica parlamentare do të përpiqet ta sabotoj punën e Kuvendit.

“Kjo është legjislatura më e dobëta qoftë në kuptim cilësor e sasior. Mazhoranca nuk po arrin asesi të gjejë çelësin që të kryej punë dhe obligimet kushtetuese që ka Kuvendi. Nga kjo udhëheqje e Kuvendit nga kjo parti politike siç është VV-ja që për tri vite kanë qenë e dëshmuar në kuptimin e jetës parlamentare s’pres fare të ndryshojë diçka pres që këta do të vazhdojnë me sabotime me pengesë me mospunë. Tash tre muaj Kuvendi është në pushim të dhunshëm nuk pres që nga shtatorit të ndryshojë ndonjë gjë . Sesioni pranveror nuk është realizuar 15 % është e pamundur të realizohet as në përqindjen më të madhe nuk pres të ketë dinamikë të madhe të punëve. Shoh përpjekje për të sabotuar edhe më shumë punën e Kuvendit për të shkuar në zgjedhje”, tha Selmanaj për rtv21.

Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ndërkaq vlerësojnë se sesionin vjeshtor të Kuvendit do ta përcjellin problemet e njëjta sikurse sesionin pranveror, pa ndonjë efikasitet të lartë.

“Edhe pse në këtë sesion pritshmëritë janë që të kalojë projektkodi civil Projektligji për zyrtarët publik si dhe projektligji për shëndetin riprodhues janë me sfiduese për deputetët sepse kemi qëndrime të kundërta për këto projektligje madje edhe brenda pushtetit. Kuvendi është karakterizuar edhe me mospjesëmarrjen deputetëve të komunitetit serb dhe kjo pamundëson kalimin e nismave legjislative që kërkojnë votat e komuniteteve. Tashmë përderisa kemi datën zgjedhjeve vlerësojmë se Kuvendit do mbetët pak më anash nga ana e deputetëve sepse puna e tyre do të jetë në fushatë”, tha Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Sipas, organizatave që monitorojnë punën e Kuvendit gjatë sesionit pranveror, Kuvendi miratoi në tërësi 36 projektligje, prej të cilave 21 të proceduara nga viti 2023 dhe 15 të proceduara në vitin 2024, teksa për sesion vjeshtor janë paraparë për procedim dhe miratim dhjetëra projektligje./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button